Vendosni fjalën kyçe....

FMN e Banka Botërore japin alarmin për recesion global


Ekonomia e botës mund të zhytet në një recesion vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin, sipas presidentit të Bankës Botërore David Malpass dhe kryetares së FMN-së, Kristalina Georgieva. Të dy folën në një diskutim të përbashkët virtual të hënën.

“Ekziston një rrezik i vërtetë i një recesioni botëror vitin e ardhshëm.” – tha Malpass, duke vënë në dukje se ngadalësimi i rritjes në ekonomitë e përparuara dhe zhvlerësimi i monedhës në shumë vende në zhvillim po sinjalizojnë një përkeqësim të ekonomisë globale.

“Përpjekjet për zhvillim po përballen me një krizë mes një vargu të madh problemesh.” – shtoi ai.

Georgieva ra dakord se ‘rreziku i recesionit është rritur’, duke vënë në dukje se vendet që përbëjnë së bashku një të tretën e PBB-së botërore janë në rrezik të bien në një recesion. Këto vende mund të përjetojnë rritje negative gjatë tremujorit të fundit të 2022 dhe tremujorit të parë të 2023, shtoi ajo.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, humbjet globale nga ngadalësimi ekonomik mund të arrijnë deri në 4 trilionë dollarë deri në vitin 2026, që është e barabartë me madhësinë e PBB-së së Gjermanisë.

Megjithatë, Georgieva tha se politikëbërësit nuk mund të lejojnë që inflacioni të bëhet një ‘ortek i pakontrolluar’ pa marrë masa për ta zbutur atë.