Vendosni fjalën kyçe....

Do e mbështesni Alimehmetin si kandidat për Tiranën? Meta: Emrat i ka marrë përsipër Berisha, ne synojmë këshillat bashkiakë


Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i PL-së Ilir Meta u pyet nga gazetarët nëse do ta mbështeste emrin e lakuar ditët e fundit të Ilir Alimehmetit si një kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale.

Meta u përgjigj se çështja e kandidatëve nuk është në dorën e tij pasi e ka marrë përsipër një lider tjetër, duke iu referuar kryetarit të PD-së, Sali Berishës.

“Nuk mund të hyj në çështje emrash sepse nuk është përgjegjësi e imja emri, as në Tiranë dhe asgjëkundi. Përgjegjësinë e ka marrë një lider tjetër dhe një forcë politike dhe uroj ta zgjidhë këtë gjë sa më shpejtë. Kjo çështje ka përfunduar për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.”- tha Meta.

Sipas tij, objektivi i Partisë së Lirisë janë këshillat bashkiakë dhe se do t’i kthehet parlamenteve lokale. Më i rëndësishëm sipas tij do të jetë ai i Tiranës.

“Nëse ka ndonjë kandidat nga partia e Lirisë që pretendon se ka aftësinë për të fituar, unë do të angazhohesha me shumë dëshirë. Por objektivi ynë janë këshillat, Do t’i kthehem parlamenteve lokale. Do të jetë më i rëndësishëm parlamenti i Tiranës sesa ai i 25 prillit. Zëri i qytetarëve të Tiranës do të dëgjohet fuqishëm.”– tha Meta.