Vendosni fjalën kyçe....

Duka pas takimit me Berishën: Të dalim në zgjedhje me kandidatë të përbashkët, disa deputetë mund të lënë mandatin për të kandiduar për kryebashkiakë


Kreu i PAA-së Agron Duka ka folur në një prononcim për mediet pas takimit me kreun e PD-së Sali Berisha në selinë blu, ku diskutuan për zgjedhjet lokale.

Duka tha se diskutuan për të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët dhe se Berisha e ka pritur mirë këtë propozim.

“Ne vetë kemi menduar që duhet patjetër të jemi sa më të bashkuar dhe për të dalë me një kandidaturë të vetme sepse nëse do dilnim me disa kandidatura do humbnim. Takimi shkoi shumë mirë.

Berisha i priti shumë mirë propozimet tona, si modalitetet për të dalë me një kandidaturë të përbashkët. Ne propozuam sondazhet si dhe primare të hapura. Do shikojmë dhe mundësinë se sa kemi për të shpenzuar, kërkon dhe gatishmërinë. Duhet të flasim dhe me parti të tjera, dhe ato jo parlamentare, grupin e Alibeajt. Mendoj që takimi qe i frytshëm.

Shpresoj që kjo dakordësia parimisht të kthehet në detaje. Bëhet një platformë e përbashkët, ku një grup të monitorojë procesin atëherë themi se kemi arritur rezultat.”– deklaroi Duka.

Ai shtoi se mund të ketë deputetë që do të heqin dorë nga mandati i deputetit për të garuar për bashkitë.

“Ato që kemi takuar janë të gatshëm dhe janë me të njëjtën mendje dhe e përkrahin idenë për dalje me një kandidat të përbashkët. Ka nga ata, s’ka gjë për të fshehur dhe tentojnë dhe pretendojnë që të kandidojnë për kryetar bashkie. Këto zgjedhje vendore kanë rëndësi dhe nuk ka asgjë të keqe që ndonjë prej tyre lë mandatin dhe sakrifikon për zonën e vetë. Ja kemi borxh shqiptarëve që të kthejmë në normalitet politikën e vendit.”– tha Duka.