Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Basha mesazh në 24-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit: Dita kur u vra pabesisht simboli i demokracisë



Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bashkohet politikanëve që kanë publikuar mesazhe përkujtimi sot, në 24-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se kjo datë është gdhendur në kujtesën e çdo shqiptari si dita kur u vra pabesisht simboli i demokracisë.

“12 shtatori i 24 viteve më parë është gdhendur në kujtesën e çdo shqiptari e në veçanti të çdo demokrati, si dita kur u vra pabesisht një simbol i demokracisë. Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore, mishëroi me veprën e tij vullnetin e një populli të tërë për t’u përballur me diktaturën komuniste dhe për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.

Përkushtimi dhe sakrifica e Azem Hajdarit kanë qenë dhe do të mbeten përherë burim frymëzimi për të gjitha brezat, sidomos për më të rinjtë, të cilët gjejnë te vepra e tij tiparet e kurajos qytetare, që përmes angazhimit vetmohues e kthen politikën në një mjet në shërbim të së mirës, që nuk i tutet as dhunës, as krimit dhe as korrupsionit.

Ndaj emri i tij do të kujtohet përherë me mirënjohje dhe krenari, si dëshmia më e bukur e dëshirës dhe energjisë së pandalshme të një populli për të luftuar për liri dhe për të ndërtuar nëpërmjet fryteve të saj një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

I paharruar kujtimi i tij!”– shkruan Basha i cili reagimet e tij publike i ka më të rralla që nga dorëheqja e tij si kryetar i PD-së.