Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi e akuzoi se mbajti peng emërimin e nëndrejtorit të SHISH-it, Meta: Shpikje dhe provokime, procesin e bllokoi Rama



Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur sot dhe për deklaratat nga maxhoranca se kur ishte President bllokoi emërimin e nëndrejtorit të SHISH-it, për shkak të konfliktit të tij me këtë institucion.

Meta i cilësoi këto si shpikje madje përkundrazi, sipas tij procesi është bllokuar nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se në Presidencë nuk i ka ardhur asnjë propozim.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt të presidentit Ilir Meta me SHISH të paktën për këtë çështje, madje përkundrazi kemi pritur propozimin nga drejtori i SHISH-it për zëvendësin e tij, i cili nuk ka ardhur asnjëherë për arsye të bllokimit që ka ardhur nga kryeministri. Po kështu kemi qenë të hapur dhe kemi bashkëpunuar me të gjithë partnerët ndërkombëtare për të realizuar në çdo kohë një propozim që do të vinte nga kryeministri për këtë pozicion vakant.

Asnjëherë nuk ka ardhur në presidencë, nuk është protokolluar një propozim i tillë. Çuçi i partisë është atje për të gënjyer, për të shpikur konflikte të paqena dhe për t’u përdorur. Asnjë propozim nuk ka ardhur, përkundrazi ka qenë gatishmëria e presidentit. Kjo gënjeshtër e Çuçit të Rilindjes është në vazhdën e shpifjeve të tjera si ato të larvës së bashkisë që thoshte se presidenti ka bllokuar ambasadorët.  Janë shpikje dhe provokime, alibira për të justifikuar papërgjegjshmërinë e tyre në ushtrimin e detyrave të tyre të larta publike dhe shtetërore, papërgjegjshmëri që qytetarët e njohin.”- tha Meta.

Ky koment i tij vjen pasi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e akuzoi sot ish-presidentin se për shkak të një konflikti me SHISH-in kishte mbajtur peng emërimin e nëndrejtorit të ri të institucionit.