Vendosni fjalën kyçe....

Ikona e boksit akuzohet për abuzim seksual, dy gra e akuzojnë se i përdhunoi 45 vite më parë


Ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda, George Foreman, 73 vjeç, është akuzuar për abuzim seksual të dy grave në vitet 1970, sipas padive të ngritura në Shtetet e Bashkuara.

Sipas grave, ato u takuan me Foreman kur ishin fëmijë pasi baballarët e tyre – të cilët merreshin me boks – u bënë bashkëpunëtorë të kampionit të botës, i cili njihet më së miri për ndeshjen e tij ikonë ‘Rumble in the Jungle’ me Muhamed Ali në vitin 1974.

Një nga paditë pretendon se Foreman filloi ta ngacmonte atë kur ajo ishte vetëm tetë vjeç para se ai ta sulmonte seksualisht kur ajo ishte 15 vjeç. Padia e dytë thotë se gruaja u përdhunua nga Foreman kur ishte 15 dhe 16 vjeç.

Ndër pretendimet në një nga paditë është se Foreman i tha fëmijës së atëhershëm se babai i saj do të humbiste punën nëse ajo do fliste asokohe.

Foreman i ka mohuar me forcë akuzat dhe në një deklaratë të korrikut kur u bënë akuzat për herë të parë shkroi se ai ishte viktimë e një fushate zhvatjeje.

“Gjatë gjashtë muajve të fundit, dy gra janë përpjekur të zhvasin miliona dollarë secila nga unë dhe nga familja ime. Ata po pretendojnë në mënyrë të rreme se unë i kam abuzuar seksualisht mbi 45 vjet më parë në vitet 1970.” – shkroi ai.

“Unë i mohoj me vendosmëri dhe kategorikisht këto akuza. Krenaria që kam për reputacionin tim do thotë për mua po aq sa edhe arritjet e mia sportive, dhe nuk do të trembem nga kërcënimet dhe gënjeshtrat e pabaza.”

Gratë, të cilat tani janë në të gjashtëdhjetat e tyre, po kërkojnë dëmshpërblim nga ish-boksieri.

Foreman konsiderohet të jetë ndër boksierët më të mëdhenj të peshave të rënda në histori. Ai fitoi një medalje të artë olimpike në vitin 1968 përpara se të fitonte titullin e tij të parë legjitim botëror, kur e mposhti Joe Frazier-in e pamposhtur më parë në raundin e dytë të ndeshjes së tyre të vitit 1973.

Ai do t’i humbte titujt ndaj Aliut rreth një vit e gjysmë më vonë, megjithatë ai rifitoi titujt e peshave të rënda WBA dhe IBF më shumë se njëzet vjet më vonë, kur mposhti Michael Moorer në moshën 45-vjeçare.

Foreman u tërhoq nga boksi profesionist në 1997 pas humbjes ndaj Shannon Briggs afër ditëlindjes së tij të 49-të, e cila la rekordin e tij në karrierë në 76-5.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani