Vendosni fjalën kyçe....

Partia Demokratike i drejton 5 pyetje SPAK-ut: Kush ja u mban gojën mbyllur?


Partia Demokratike ka vijuar strategjinë e saj politike në lidhje me aferën e inceneratorëve ku dita ditës i drejton nga 5 pyetje SPAK-ut. 

Këtë herë Belind Këlliçi ka dalë nga foltorja e selisë blu dhe u ka drejtuar 5 pyetje SPAK, duke përmendur mos thirrjen e Veliajt e Ahmetajt si dhe mos shpalljen në kërkim të Mirel Mërtirit. 

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike do të vijojë edhe sot me “Pesë pyetjet për inceneratorët”. Do të vazhdojmë me to deri kur SPAK të hetojë autorët e vërtetë të ‘masakrës financiare’ të aferës korruptive të inceneratorëve.

Në lidhje me inceneratorin e Tiranës, i cili është edhe më spektakolari në mbrapshtinë e vjedhjes dhe antiligjit, dua të bëj një pyetje për mediat.

U drejtohem televizioneve shqiptare, gazetave e portaleve, ju media e gazetarë. A mundet njëri nga ju, për hir të së drejtës së informimit, t’i tregojë shqiptarëve pamjet e inceneratorit të Tiranës? Ku është? Kush e ka parë? Si duket? Na e tregoni si duket një incenerator.

Nuk mundeni sepse nuk ekziston. Mbetjet e Tiranës futen në landfillin e Sharrës. Aty ku janë futur edhe më parë. I vetmi ndryshim është se fatura shqiptarëve u shkon për incenerim.

Qytetarët e Tiranës sot paguajnë 80 mijë dollarë në ditë, për pastrimin e qytetit dhe incenerimin e mbetjeve, proces i cili nuk ndodh.

Tani disa pyetje, mendoj krejt bazike, për SPAK-un:

1) Pas gjithë denoncimeve me fakte, data, emra dhe shifra, për një çështje që flitet në çdo mjedis, në parlament, nëpër kafene, në rrjete sociale dhe media, si ka mundësi që gumëzhin gjithë Shqipëria dhe vetëm ju nuk flisni?! Çfarë ju mban gojëmbyllur? Apo më mirë t’ju pyes, kush e ka fuqinë t’ju mbajë gojëmbyllur?

2) Përse nuk thërritet Erion Veliaj për dokumentin e firmosur në mars të vitit 2017, atëherë kur me firmën e tij ndryshoi fatin e kontratës për inceneratorin e Tiranës? Përse ky trajtim i veçantë për Veliajn?

3) Po Arben Ahmetaj përse nuk trajtohet nga drejtësia? Përse nuk e hetoni? Ka ndonjë status të veçantë?

4) Përse qeveria vijon të disbursojë qindra mijëra euro për pronarët e inceneratorëve që janë në kërkim?

5) Përse Mirel Mërtiri nuk shpallet person në kërkim ndërkombëtar, njëlloj si miqtë e tij si Zoto e Gugallja?

Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por të vështira për drejtësinë e dorëzuar.

Ne kemi një përfundim për të gjitha këto pyetje: ndodh kështu SEPSE ATA (dmth Rama-Veliaj-Ahmetaj-Balluku-Zoto-Mertiri-Gugallja) I NDAJNE PARATE SE BASHKU.

Të dashur shqiptarë, ju si mendoni?