Vendosni fjalën kyçe....

Kurti shtyn me një muaj reciprocitetin me Serbinë pas takimit me ambasadorin amerikan, kërkon heqjen e barrikadave në Serbi


Qeveria e Kosovë ska vendosur të shtyjë zbatimin e reciprocitetit të letërnjoftimeve e targave me Serbinë.

Vendimi është marrë pas takimit të autoriteteve të vendit me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Uashingtoni i ka kërkuar Prishtinës që ta shtyjë me një muaj këtë vendim dhe zbatimi i vendimit është shtyrë deri më 1 shtator ndërsa kushti i vënë është heqja e barrikadave në veri të vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Serbët bllokuan rrugët në shenjë pakënaqësie ditën e djeshme ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve të Kosovës për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat do hynin në fuqi nga dita e sotme. Serbët në veri të Kosovës bllokuan me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Bllokadat erdhën një ditë para se të hynin në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Qeveria e Kosovës tha se më 1 gusht do nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.