Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 30 kg kanabis, pranga 24-vjeçarit në Korçë


Një person është arrestuar në Korçë pasi akuzohet për trafik lëndësh narkotike.

Gjatë operacionit të policisë janë sekuestruar 30 kg i dyshuar kanabis ndërsa arrestimi i 24-vjeçarit me iniciale E.Z. është bërë në kuadër të operacionit ‘Restart’ duke e çuar në 23 numrin e të ndaluarve.

Në total lidhur me ‘Restart’ janë seuestruar rreth 565 kg kanabis e 550 gramë kanabis në formë çokollate.

Sasia prej 30 kg kanabis është kapur në dy çanta sportive në fshatin Ponçarë që sipas bluve do trafikohej drejt Greqisë.

Njoftimi

“Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me AMP Korçë, Policinë Kufitare, shërbimet e Frontex-it, Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër.

Sekuestrohen 30 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shkon në​ 23 numri i të ndaluarve, në 565.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, Policinë Kufitare, shërbimet e Frontex-it, Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur tetë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e​ dhjetë të tij, si rezultat i së cilës u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:

– E. Z., 24 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë;

Si edhe u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:

– A. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe informacioneve të grumbulluara se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesës së tij në fshatin Ponçarë, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta sportive, me 30 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shokut të tij, shtetasit A. Z., u gjet e sekuestrua një motor i markës “Peda Tek”, pa targa dhe dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i vjedhur në Maqedoninë e Veriut.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.”