Vendosni fjalën kyçe....

Burgosja e ish-krerëve të UÇK-së e akuzat për trafik organesh, Rama: Faqe turpi e KE-së dhe Gjykatës së Hagës, të kërkojnë ndjesë


Kryeministri Rama ka lëshuar akuza të forta ndaj Këshillit të Europës e Gjykatës së Hagës lidhur me burgosjen e ish-krerëve të UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte e trafik organesh të qenieve njerëzore.

Gjatë konferencës për shtyp ku u njoftua çelja e negociatave me BE-në ku merrnin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimi Varhelyi e ministri i Jashtëm çek Lipavsky, Rama tha se akuzat në fjalë janë turp për Këshillin e Europës duke i kërkuar këtij të fundit të kërkojë ndjesë për to.

“Një histori fatkeqësisht jo e mirë e trafikimit të organeve u nis nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër. Gjykata e Hagës është krijuar në bazë vetëm të këtij raporti, sepse ka qenë ky raport plot me gjepura, që ka sjellë në jetë këtë lloj gjykate speciale. Hetime pas hetimesh janë bërë në Kosovë e Shqipëri, totalisht të pavarura nga çfarëdo lloj ndikimi, dhe nuk solli asgjë, zero. Zero absolute përqindje të trafikimit të organeve të qenieve njerëzore. UÇK-ja ka qenë në fakt viktimë e një sulmi të organizuar në të gjithë botën. Kjo ka të bëjë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës duhet të gjejë kurajon, të dalë përballë e të thonë ‘na falni’, sepse nuk mundet që ata ta bëjnë një gjë të tillë. Në një vend ku gjëra të tmerrshme kanë ndodhur dhe që ne i kemi përjetuar nën diktatin sovjetik apo në periudhën e ndikimit kinez. Asgjë personale përkundër zotërinjve, por kjo është diçka që duhet bërë e ditur, derisa të ketë një provë sado të vogël. Është e pamundur të akuzosh një komb të tërë që u çlirua nga një përpjekje kaq e madhe dhe falë UÇK-së, përkundër një makinerie të spastrimit teknik të Millosheviçit, dhe krejt papritur të hidhen kështu në thellësitë më të mëdha të plehrave gazetareske.” – tha Rama.