Vendosni fjalën kyçe....

16 vite pas Stabilizim-Asociimit e 8 vite pas statusit kandidat, Shqipëria pritet të çelë sot negociatatat për anëtarësim në BE


Sot mbahet në Bruksel konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë, që shënon zyrtarisht çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit në union.

Konferenca vjen 16 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërsa deri më sot rrugëtimi i Tiranës ka qenë me jo pak ulje-ngritje e pengesa të natyrave të ndryshme.

Kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Brukselit në krye të një delegacioni që përbëhet nga 25 persona. Vendimi i shumëpritur erdhi pasi parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës për ngërçin e vendit me Bullgarinë.

Në një shënim në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se Shqipëria e Skënderbeut, rilindasve, dëshmorëve, martirëve të regjimit, studentëve të Dhjetorit ’90 dhe e gjithë shqiptarëve të zakonshëm ulet në tryezën e madhe të BE-së.

“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj.” – shkruan Rama.