Vendosni fjalën kyçe....

Dështojnë negociatat me Audi-n, Real Madrid ndryshon sponsorin


Duke filluar nga korriku, Audi, një sponsor kryesor i Real Madridit që nga viti 2003, nuk do të lidhet më me ekipin ‘merengues’.

Pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje ekonomike në negociatat e zhvilluara nga drejtuesit madrilen dhe marka gjermane në fund të vitit të kaluar, kontrata e cila skadon më 30 qershor, nuk do të rinovohet nga të dyja palët.

Me stadiumin e ri në horizont, klubi madrilen do rrisë edhe më tej të ardhurat teksa Audi planifikon të zvogëlojë përfshirjen e tij në ekipet e futbollit në mënyrë që të përqendrohet kryesisht te Bajerni i Mynihut.

Audi, i cili ishte në nivelin e dytë të marrëveshjeve tregtare të Madridit, nuk do të jetë më sponsor 19 vjet më vonë.

Megjithatë, bardhezinjtë nuk do të kenë një sponsor më pak si pasojë e largimit të Audi-t. Sipas informacioneve të marra nga MARCA, klubi i bardhë ka gjetur tashmë një zëvendësues për Audi dhe ka rënë dakord me BMW, i cili do të shërbejë si një nga sponsorët kryesorë të skuadrës dhe do të jetë përgjegjëse për sigurimin e makinave për lojtarët e ekipit të parë. Sponsori i ri do të zbulohet nga Madridi javën e ardhshme.

BMW me bazë në Mynih ka gjithashtu Mini-n dhe Rolls-Royce dhe është shitësi kryesor në Evropë i makinave të nivelit të lartë, përpara Audi-t, Lexus-it dhe Merdedes-it.

Është gjithashtu një sponsor premium i Milanit dhe i ka furnizuar me makina futbollistët e skuadrës italiane që nga viti i kaluar, kur marka gjermane vendosi të hyjë në botën e futbollit siç bëri Audi në fillim të këtij shekulli.

Tashmë, me marrëveshjen me Real Madridin, ka bërë një tjetër hap përpara, pasi do të ketë një vend të spikatur në klubin me 14 Kupa Evropiane dhe në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ të ri.

Audi, për shembull, ishte i pranishëm në stolat e stadiumit, si dhe në zona të tjera të stadiumit dhe në Valdebebas, përveç që u siguronte makina lojtarëve të ekipit të parë.