Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania ‘kryqëzon gishtat’, shpreson që furnizimet me gaz rus të rifillojnë


Ministri gjerman i Ekonomisë, njëherazi zv. Kancelari Robert Habeck thotë se shpreson për rifillimin e dërgesave të gazit natyror rus nëpërmjet tubacionit Nord Stream pasi të ketë përfunduar mirëmbajtja e tij vjetore 10-ditore.

“Nuk kam asnjë informacion sekret në lidhje me skenarin e parë apo të dytë”, tha Habeck për transmetuesin ARD, përkthyer nga TASS.

Sipas ministrit, ende mbeten shqetësime serioze në Gjermani për mungesën e gazit në vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm.

“Nëse është e pamundur të marrim më shumë gaz në treg, ne vetëm duhet të pakësojmë edhe më shumë konsumin tonë”, tha ai.

Të hënën, Gazprom i Rusisë pezulloi operimet e gazsjellësit Nord Stream 1 për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar vjetore, e cila do të përfundojë më 21 korrik.

Në mes të qershorit, rrjedha e gazit përmes kanalit kryesor u zvogëlua në 40 % e kapacitetit të saj për shkak të sfidave operacionale të shkaktuara nga moskthimi në kohë i një turbine të shërbimit nga Kanadaja për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë.

Qeveria kanadeze tha se do t’i kthente pajisjet pavarësisht kritikave dhe presionit nga Ukraina. Megjithatë, Otava nuk ka caktuar një datë për dërgimin e turbinës në Gjermani.