Vendosni fjalën kyçe....

Meta për skandalin e inceneratorëve: Babëzia e shekullit, me firmën e të moshuarës që kishte ndërruar jetë u kryen transaksione 5-6 milionë euro


Presidenti i vendit Ilir Meta, në një dalje për mediet foli për aferën e inceneratorëve, të cilën e konsideroi si “babëzia e shekullit”.

Meta u ndal në denoncimet e ditës së djeshme nga LSI, duke thënë se u zbulua dhe një rast tjetër skandaloz në lidhje me inceneratorët, ku transaksione prej 5 deri në 6 milionë euro ishin kryer në emër të një gruaje që ka ndërruar jetë 5 vite më parë.

“Ndërsa lajmet e fundit që dolën edhe dje, ku përveç pensionistëve që janë në azile që figurojnë në mënyrë të paditur me veprime që kapërcejnë mbi 30 milionë euro, çobani me rrogë 300 euro në Greqi, rezulton gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu.

Për fat të keq për të kuptuar dramacitetin e kësaj babëzie që është babëzia e shekullit, dje u zbuluan dhe fakte për një qytetarë të ndjerë, e cila ndërroi jetë 5 vite më parë, në emër të së cilës janë kryer transaksione me vlerë 5- 6 milionë euro. Kjo është ulëritëse dhe tronditëse. Një shtet që thotë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit se s’kemi lekë për helikopter.

Zjarr që kërcënon pyjet më të bukura që kemi, apo dhe Llogara, apo dhe ishullit të vetëm që kemi. Sot shohim një situatë të rëndë korrupsioni, flagrante, shohim se në këtë kohë krize, ku qytetarët janë të rrezikuar që nga mbrojtja e shëndetit, shohim se askush nuk mban përgjegjësi.

Çfarë është kjo QKB që pranon të bëjë veprime të tilla. Çfarë janë këto noterë që bëjnë këto veprime. Kush mban përgjegjësi për këto skandale që vetëm thellohen.

Si mund të vazhdohet afera e inceneratorëve, kur dihet që paratë shkojnë për llogari të krimit. Para të qytetarëve. Është situatë dramatike dhe ftoj Kuvendin të merret me këtë çështje sepse ende nuk ka filluar edhe maja e ajsbergut me aferën e inceneratorëve…  Po shkelet në mënyrë të ndërgjegjshme Kushtetuta dhe po nxirren jashtë artistë, specialistë, shoqëria civile sikundër e keni parë edhe ju sot.”– tha Meta.