Vendosni fjalën kyçe....

“Donald Lu shantazhoi Pakistanin për ndryshimin e qeverisë” – Akuzat e ish-kryeministrit


Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka thënë se SHBA-ja e kërcënoi qeverinë e tij me ‘pasoja’ nëse ai nuk hiqet nga pushteti. Khan humbi një votë mosbesimi në prill.

“Në 40 vitet e fundit, udhëheqja jonë në thelb është përkulur ndaj gjithçkaje që SHBA ka kërkuar prej nesh.” – tha Khan për Sunday Times.

Ish-kryeministri akuzoi Uashingtonin për ‘arrogancë perandorake’ dhe ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij.

Khan tha se ambasadori i tij në Uashington i dërgoi atij një kabllogram diplomatik në prill në lidhje me një takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu.

Sipas Khan, Lu i tha diplomatit se Pakistani do të vuante ‘pasoja’ nëse kryeministri nuk hiqet nga detyra. Lu e siguroi atë se ‘të gjitha do të faleshin’ nëse ai dëbohej, pohoi Khan.

Khan tha se kritikat e tij për luftën në Afganistan ishin ndër gjërat që tërhoqën zemërimin e Uashingtonit.

“Amerikanët nuk e kuptuan kurrë kulturën e vendit apo njerëzit me të cilët kishin të bënin.” – argumentoi ai.

Një ish-yll i kriketit, Khan u ngrit në pushtet në gusht 2018, kur partia e tij Pakistani Tehreek-e-Insaf (PTI) fitoi zgjedhjet. Katër vjet më vonë, ai u shkarkua nga parlamenti mes akuzave për keqmenaxhim ekonomik.

SHBA hodhi poshtë pretendimet e përsëritura të Khan se rënia e tij ishte orkestruar nga Uashingtoni. “Më lejoni të them shumë troç se nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë për këto pretendime.” – tha në prill zëvendës zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jalina Porter.

Qeveria Khan u grind me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzoi Pakistanin për strehimin e terroristëve dhe keqpërdorimin e ndihmës së huaj. Islamabadi i mohoi të dy pretendimet.

Marrëdhëniet e Pakistanit me presidentin Joe Biden kanë qenë gjithashtu të tensionuara, sipas raporteve.