Vendosni fjalën kyçe....

Shefi rus i naftës: Evropa po kryen vetëvrasje energjetike


Kreu i gjigantit rus të naftës “Rosneft” Igor Sechin thotë se shtetet evropiane po qëllojnë veten duke vendosur kufizime ndaj Rusisë.

“Evropa po kryen vetëvrasje energjetike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.”– tha Sechin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut sipas RT-së. “Ata (e ka fjalën për shtetet evropiane) humbasin identitetin e tyre dhe fuqinë konkurruese ndaj SHBA-së.”

Shefi i Rosneft tha gjithashtu se sanksionet e kanë eliminuar “tranzicionin e gjelbër“, pasi liderët evropianë nuk kanë më nevojë për “manipulim të tregut, pasi po aplikohen qasje më të prera dhe radikale”.

Sipas Sechin, ajo që mbetet nga “retorika e gjelbër” e Evropës është plotësisht në kundërshtim me praktikën aktuale, pasi kombet në të gjithë rajonin po kërkojnë të gjejnë burime për të zëvendësuar naftën ruse me çdo kusht.

Më herët, presidenti rus Vladimir Putin i quajti sanksionet një thikë me dy tehe, duke thënë se udhëheqësit perëndimorë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë e kombeve të tyre duke vendosur kufizime. Putin shtoi se humbjet direkte të BE-së nga sanksionet mund të kalojnë 400 miliardë dollarë në një vit dhe kostot do të përballohen nga qytetarët e BE-së.