Vendosni fjalën kyçe....

Makina merr përpara turmën në Berlin dhe përplaset me një dyqan, një i vdekur dhe 8 të plagosur (PAMJET)


Të paktën një person është vrarë dhe tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një makinë u përplas me një turmë në një rrugë të Berlinit.

Është e paqartë nëse incidenti, i cili ndodhi rreth orës 10:30 të paradites sipas orës lokale ishte i qëllimshëm apo një aksident.

Ngjarja ndodhi në zemër të Berlinit perëndimor, në një nga rrugët tregtare më të frekuentuara. Siç shkruan BBC, automjeti doli nga rruga dhe u ngjit në trotuar përpara se të përplasej më pas me një dyqan.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një Renault Clio ngjyrë argjendi të përplasur me dritaren e një dyqani kozmetike.

Një zëdhënës i policisë u tha gazetarëve se shoferi u arrestua në vendngjarje. Rreth 130 punonjës të urgjencës janë në vendngjarje sipas shërbimit policor të Berlinit.

Aktori John Barrowman tregoi në Twitter se ishte afër vendit kur ndodhi incidenti. Përmes një videoje, ai tregoi se  automjeti ishte ngjitur disa herë në trotuar përpara se të përplasej me dyqanin.

 

 

Zona ku ndodhi ngjarja është përballë Breitscheidplatz, aty ku 12 njerëz u vranë kur një shofer kamioni e futi qëllimisht kamionin e tij në një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh në vitin 2016.