Grupi i Enkelejd Alibeajt ka reaguar për heqjen e kadidaturës së Simon Mirakës nga posti i komisionerit të Komisionit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Sipas një njoftimi për mediat, grupi parlamentar demokrat tha se asnjë nga deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berishës.
“Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berisha dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standardi i dyfishtë i Partisë Socialiste.
Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve.”- thotë grupi i Alibeajt.
Ky reagim vjen pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha në foltoren e Kuvendit lidhur me mospranimin e kandidaturës së Mirakës.
Shumica në Kuvend mori vendimin të mos e votojë kandidaturën e Mirakës për shkak se atë e ka mbështetur me firmë kreu i PD-së, Berisha.
“Ju diskriminoni dhunshëm komunitetet fetare, pronarët, të përndjekurit politikë. Tokat e komuniteteve fetare plaçkiten nga lukunia në pushtet. Diskriminim klasor u bëni të përndjekurve. Me një akt të shëmtuar sot refuzuar Simon Mirakën, njëri nga ikonat e vuajtjes së perskutimit.
Në një kombinim individë që i lidh krimi, i fshin emrin për të shkuar komisioner në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufijshëm. A e dini ju sot se 95% e proceseve gjyqësore fitohen vetëm nga narko qeveria.”– tha Berisha.