Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj porosit qytetarët për 25 Majin: Lëreni makinën në shtëpi, mos ejani në Tiranë


Për herë të parë, Tirana do të presë një finale evropiane futbolli dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur për masat e marra nga bashkia për datën 25 Maj.

“Qyteti do të zbatojë të njëjtin protokoll që ka zbatuar edhe gjatë vizitës së Presidentit Bush apo Papa Françeskut, prandaj ju lutem, nëse nuk keni një biletë për të qenë në stadium, mos ejani në Tiranë, shtyjeni për një ditë tjetër, pasi nuk do të kaloni në asnjë prej disa kontrolleve të policisë, as në akset hyrëse të qytetit.”- porositi Veliaj qytetarët.

Ai kujton se data 25 do të jetë një ditë pa makina, dhe kryebashkiaku i këshillon qytetarët të mos marrin automjete atë ditë por të lëvizin në këmbë.

“Ftesa ime për qytetarët e Tiranës është të lëvizim sa më shumë në këmbë. Kam nevojë për mirëkuptimin tuaj, na duhet ndihma e gjithsecilit. Transporti publik do të funksionojë, por mund të përdorim edhe biçikletat. Nëse dikush ka dëshirë të tregohet i dobishëm atë ditë, thjesht të mos e nxjerrë makinën.”– tha Veliaj.