Vendosni fjalën kyçe....

Flamur Noka: Nuk do të lejojmë askënd të pengojë zgjedhjet për shkak të frikës që kanë Basha- Alibeaj


Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka i është përgjigjur deklaratave të Enkelejd Alibeajt, i cili ndërsa prezantonte platformën e tij për bashkimin refuzonte zgjedhjet që po zhvillohen në bazë.

Noka në një deklaratë nga selia blu, është shprehur kategorikisht kundër ndalimit të procesit zgjedhor që ka nisur në bazë. Sipas Nokës, zgjedhjet nuk do të ndalen.

“Por në asnjë rast, dhe në asnjë rrethanë, procesi i nisur prej muajsh nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe i rikonfimuar bindshëm nga vota e demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit, nuk do të ndalojë!

Mirëpresim të gjithë ata që janë bërë apo kërkojnë të bëhen pjesë e këtij procesi, por nuk do të lejojmë askënd që ta pengojë atë për shkak të frikës që Basha- Alibeaj kanë nga përballja me vullnetin e demokratëve.

Bashkimi vjen përmes votës së lirë.”- tha Noka.

Sipas tij, PD mbetet e hapur për të diskutuar me frymë konstruktive me çdo deputet dhe çdo demokrat për specifikat që kanë hasur dhe konstatuar në zonat e tyre. Ai shtoi se janë të gatshëm që me grupe auditi, të verifikohet çdo procedurë zgjedhore nëse është zhvilluar konform statutit të PD miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetor 2021 dhe udhëzimeve përkatëse.

DEKLARATA E NOKËS

Grupi parlamentar i PD-së është një organ shumë i rëndësishëm i saj. PD është e vendosur të respektojë dhe të garantojë të drejtat statutore të çdo organi, por mbi të gjitha është vullneti i anëtarësisë së saj që vendos qëndrimin politik të saj.

Me këtë rast theksoj se askush nuk do të mundet më të organizojë procese kur 1 958 karrike të lexohen si 5 004 delegatë.

Askush nuk do të mundet më të zëvendësojë votën e lirë me blinda dhe gaz lotsjellës. Askush nuk do të mundet më të manipulojë me firma fiktive vullnetin e deputetëve dhe të grupit parlamentar të PD-së.

Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të dhe koha kur vullneti i shumicës injorohej. PD ka qenë dhe mbetet e hapur për të diskutuar me frymë konstruktive me çdo deputet dhe çdo demokrat për specifikat që kanë hasur dhe konstatuar në zonat e tyre, për këtë arsye jemi të gatshëm që me grupe auditi, të verifikohet çdo procedurë zgjedhore nëse është zhvilluar konform statutit të PD miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetor 2021 dhe udhëzimeve përkatëse.

Por në asnjë rast, dhe në asnjë rrethanë, procesi i nisur prej muajsh nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe i rikonfimuar bindshëm nga vota e demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit, nuk do të ndalojë!

Mirëpresim të gjithë ata që janë bërë apo kërkojnë të bëhen pjesë e këtij procesi, por nuk do të lejojmë askënd që ta pengojë atë për shkak të frikës që Basha- Alibeaj kanë nga përballja me vullnetin e demokratëve.

Bashkimi vjen përmes votës së lirë.

Deri më sot ajo ka qenë e vonuara e madhe. Nuk kemi më kohë për të humbur! Kush dëshiron të lidhë fatin e tij me veglat e Edi Ramës është i lirë ta bëjë, por koha e pengmarrjes së opozitës ka marrë fund!

Të gjithë ne deputetë apo anëtarë të thjeshtë jemi të detyruar të pranojmë vendimet e kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit që detyroi process zgjedhor dhe Kuvendin e rradhës.
Kuvendi është Forumi më i lartë vendimmarrës në Partinë Demokratike. Askush nuk ka tagër të diskutojë e aq më pak të anullojë vendimet e tij, pasi kështu do të vijonte praktika e shëmtuar ku mendimi i anëtarësisë nuk përfillej.

Të gjithë të bashkohemi në Kuvendin Kombëtar të 30 Prillit. Le të flasim hapur dhe ndershëm, le të paraqesim cdo platformë dhe të votojmë cdo propozim të hedhur.

Në fund të respektojmë votën dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar.