Vendosni fjalën kyçe....

Alabama miraton projektligjin që ndalon kujdesin shëndetësor për afirmimin e gjinisë për transgjinorët


Ligjvënësit e Alabamës, SHBA, miratuan një projektligj që kriminalizon kujdesin shëndetësor që afirmon gjininë për të rinjtë transgjinorë, me një kërcënim me 10 vjet burg për stafin mjekësor që ofron shërbimin.

Legjislacioni, i miratuar me 66 vota pro e 28 dër nga Dhoma e Përfaqësuesve e shtetit në ditën e fundit të seancës legjislative, është i fundit në një mori masash në shtetet e udhëhequra nga republikanët që kanë të bëjnë me të rinjtë transgjinorë.

Unioni Amerikan i Lirive Civile e quajti atë projektligjin e parë të këtij lloji që e bën kujdesin shëndetësor për të rinjtë që ndërrojnë gjininë një krim dhe tha se do ta kundërshtonte projektligjin në gjykatë nëse Guvernatori republikan Kay Ivey e nënshkruante atë duke e kthyer në ligj.

Projektligji do ta bënte një krim të dënueshëm me deri në 10 vjet burg ofrimin e kujdesit mjekësor duke përfshirë trajtimin hormonal, bllokuesit e pubertetit dhe operacionin e ndryshimit të gjinisë për të miturit.

Demokratët në pakicë u përpoqën ta luftonin projektligjin pjesërisht duke argumentuar se ai binte ndesh me parimet republikane për rolin e qeverisë.

Projektligji do të detyronte gjithashtu personelin e shkollës t’i zbulojë prindit ose kujdestarit ligjor se ‘perceptimi i një të mituri për gjininë ose seksin e tij ose të saj nuk është në përputhje me seksin e të miturit’.

Javën e kaluar, Guvernatori i Arizonës, Doug Ducey, nënshkroi një projektligj që ndalon operacionin e pakthyeshëm të ndryshimit të gjinisë për të miturit.