Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Gjërat janë çdo ditë e më keq, por nuk do e rrisim çmimin e energjisë për familjarët e bizneset e vogla


Kryeministri Rama ka pohuar sot se gjërat janë çdo ditë e më keq për sa i përket rritjes së paparashikueshme të çmimit të energjisë.

Ai e bëri deklaratën gjatë një takimi në Doganën e Tiranës me importues, eksportues e përfaqësues të zinxhirit të ushqimit me mallrat e shportës.

Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se për sa i përket energjisë nuk është vetëm problemi i rritjes së çmimit por edhe mungesa e energjisë në treg.

Rama theksoi edhe njëherë se qeveria nuk do e rrisë çmimin për familjarët e bizneset e vogla.

“Gjërat janë çdo ditë e më keq. Të gjitha vendet po gjenden në një situatë krejt të paparashikuar dhe të paparashikueshme të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë. Dhe frika nuk është rritja e kostos, por mundësia e mungesës së energjisë. Ne kemi marrë përsipër diçka që e konsiderojmë të domosdoshme për të mbajtur një frymëmarrje normale për një kohë të vështirë për të gjithë: mosrritjen e çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël. Ndërkohë që për pjesën tjetër, është diskutim tjetër.

Bizneset e mëdha duhet seriozisht të mendojnë për të investuar në vetëprodhim të energjisë, pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin. Ne po përgatisim një plan për të mbështetur familjarët, nëse familjet do të duan të investojnë për panele diellore dhe bizneset që duan të prodhojnë energji për fabrikën e tyre gjatë ditës. Problemi është që nuk do të ketë energji natën, por në kushtet e një fabrike që aktivitetin kryesor e ka gjatë ditës, kjo është më e arsyeshme.” – tha ndër të tjera kryeministri Rama gjatë takimit.