Vendosni fjalën kyçe....

Basha reagon përsëri: Bllako dhe Koka janë “bishti” i aferës së inceneratorëve, “koka” e grupit është Rama



Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar përsëri në lidhje me arrestimet e SPAK-ut për inceneratorët dhe kërkesën për arrestimin e deputetit Alqi Bllako.

Basha ka publikuar një video të kryeministrit Edi Ramës ku nga inceneratori i Elbasanit thotë: “Ky është ndryshimi që ndodh kur PS ka në dorë çelësat e shtëpisë”.

Ish-kryedemokrati akuzon Ramën se është ai “koka” e grupit kriminal dhe seLefter Koka dhe Alqi Bllako janë vetëm “bishti” i kësaj afere.

“Në vjedhjen e 430 milionë eurove qeveria ka vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë bishti i kësaj afere.

Koka e këtij grupi është Edi Rama, që mbështeti, miratoi dhe mbrojti këtë aferë kriminalo-korruptive, duke sulmuar çdo përfaqësues të PD-së që e denoncoi atë.

Sot SPAK hodhi një tjetër hap për t’u përshëndetur në zbardhjen e kësaj afere. E inkurajoj atë t’i shkojë deri në fund dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aferë, të cilët tashmë janë faktuar edhe nga Komisioni Hetimor, përfshirë ministra, kryebashkiakë socialistë, sekretarin e përgjithshëm të kryeministrit e deri tek Edi Rama.”– shkruan Basha.

 

Më herët lidhur me njoftimin e SPAK-ut për urdhër-arrestet, Basha tha se kjo ishte rezultat i punës së PD-së në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Sipas Bashës komisioni faktoi se urdhëruesit e përgjegjësit e aferës janë ministrat e kryeministri Rama.