Vendosni fjalën kyçe....

“1300 mercenarë Wagner u dërguan nga Libia për të ndihmuar forcat ruse në Ukrainë” – Media


Rreth 1300 mercenarë të kontraktorit privat rus ‘Wagner Group’ janë zhvendosur nga Libia në Ukrainë për të luftuar përkrah forcave ruse, sipas një analisti libian të sigurisë.

“Kishte 2200 militantë Wagner në Libi. Rusia ka tërhequr 1300 dhe ka lënë vetëm 900 këtu”, tha për Anadolu Agency (AA) Adel Abdel-Kafi, një ekspert ushtarak dhe i sigurisë.

Ai tha se paraushtarakët e Ëagner u hoqën nga postet e tyre përgjatë një autostrade që lidh zonat e Sirte dhe Jafra në Libinë qendrore.

Abdel-Kafi tha se Grupi Wagner po mbështetet gjithnjë e më shumë te luftëtarët nga kombet afrikane dhe vazhdon të rekrutojë njerëz nga Mali, Çadi dhe Sudani.

Grupi Wagner ka qenë në Libi që nga tetori 2018 për të mbështetur forcat e kryekomandantit Khalifa Haftar, i cili ka luftuar kundër qeverisë legjitime të Libisë për kontrollin e vendit të Afrikës Veriore, sipas OKB-së.

Ky nuk është pretendimi i parë për përfshirjen e Wagner në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt dhe tani ka hyrë në muajin e dytë.

Vetëm disa ditë pas fillimit të luftës, Ihor Ostash, ambasadori i Ukrainës në Liban, akuzoi Rusinë se kishte dërguar 400 mercenarë të Wagner në Kiev për të vrarë liderët politikë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Grupi ka qenë gjithashtu në shënjestër të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga vendet perëndimore.