Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtari Zhukri nuk shqyrton dot kërkesën për ndryshimet në statutin e PD-së, Apeli nuk i jep aktet


Konflikti i brendshëm në Partinë Demokratike rrezikon të kthejë gjykatën e Tiranës në një institucion ku nuk bëhet drejtësi, por politike.

Gjyqtari Agron Zhukri ka caktuar nesër datën e zhvillimit të procesit gjyqësor për ndryshimet statutore që Komisioni i Rithemelimit bëri në atë që njihet si Kuvendi i 11 dhjetorit.

Por burimet për gazetaren Anila Hoxha pranë gjykatës së apelit thonë se seanca gjyqësore e gjyqtarit Zhukri u caktua në një kohë kur kjo dosje dhe një kërkesë e Partisë Demokratike zyrtare ndodhet në Gjykatën e Apelit, raporton Top Channel.

Pra praktikisht, sipas burimeve nesër  gjykohet me shumë mundësi pa pasur asnjë dokument për të, pasi fashikulli ndodhet në Apel.

Burimet jo zyrtare i thanë gazetares Hoxha se ky do të ishte një rast i paprecedentë në historinë e drejtësisë, ku nis gjykimi për një çështje kur duhet të mbetej në pritje të asaj që do shpallë apeli.

Ndërkohë dosja e ndryshimeve statutore të PD ndodhet në Apel, pasi PD kundërshtoi vendimin e ndërmjetëm të gjyqtares përkatëse për të bashkuar në një çështje ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 Korrikut dhe ndryshimet statutore të 11 Dhjetorit.

Këto të fundit i përkasin Komisionit të Rithemelimit, që ka shkarkuar çdo strukturë drejtuese të PD.