Vendosni fjalën kyçe....

Plagoset korrespondenti i “Fox News”-it në Ukrainë


Një korrespondent i “Fox News” Benjamin Hall, u plagos të hënën teksa raportonte jashtë Kievit për luftën në Ukrainë. Rrjeti i lajmeve dhe Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës konfirmuan incidentin, ku të dy thanë se ai është shtruar në spital. Rrethanat rreth plagosjes së gazetarit nuk ishin menjëherë të qarta.

“Më herët sot, korrespondenti ynë Benjamin Hall u plagos gjatë mbledhjes së lajmeve jashtë Kievit në Ukrainë.”– thuhej në një memo dërguar stafit të “Fox News” të hënën pasdite. “Ne kemi një nivel minimal detajesh tani, por Ben është shtruar në spital dhe ekipet tona në terren po punojnë për të mbledhur informacion shtesë.”

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Irina Venediktova postoi në Facebook një foto të kredencialeve për shtyp të gazetarit dhe konfirmoi se reporteri amerikan ishte dërguar në spital, ku ishte në “kujdes intensiv nën mbikëqyrjen e mjekëve”. Venediktova e quajti plagosjen e tij një “krim lufte” dhe u bëri thirrje “udhëheqësve të botës së qytetëruar” të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Një vendim që do të sillte fuqitë e NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe që sipas fjalëve të presidentit amerikan Joe Biden, do të çonte në “Luftën e Tretë Botërore“.

Incidenti vjen një ditë pasi regjisori amerikan dhe ish-korrespondenti i “New York Times” Brent Renaud u qëllua për vdekje në Irpen, në periferi të Kievit. Detajet e vdekjes së Renaud janë të errëta. Zyrtarët ukrainas fajësojnë ushtarët rusë për të shtënat, por incidenti ndodhi në afërsi të një postblloku rrugor të drejtuar nga trupat ukrainase.