Vendosni fjalën kyçe....

Scholz: NATO nuk do ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, do ishte gabim


NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në situatën në Ukrainë. Kështu deklaroi sot kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Naftali Bennett. Ai theksoi se një gjë e tillë do të ishte një gabim nga ana e NATO-s.

 “Është krijuar një situatë e rrezikshme, pasi kjo është një luftë midis shtetit më të madh në botë, Rusisë, një superfuqi bërthamore dhe shtetit të dytë më të madh në Evropë.”- tha kancelari gjerman, citon TASS.

“Në këtë aspekt, nuk duhet nënvlerësuar rreziku që i kanoset. Prandaj, linja jonë është shumë e qartë: ne nuk do të ndërhyjmë ushtarakisht – kjo ka të bëjë me NATO-n, ajo nuk do ta bëjë këtë. Do të ishte një gabim në situatën aktuale.”- theksoi Scholz.

Kancelar Scholz vuri në dukje megjithatë se Gjermania synon të mbështesë Ukrainën dhe të ofrojë ndihmë humanitare.

“Sanksionet kundër Rusisë tashmë kanë një ndikim serioz, disa edhe para se t’i zbatonim. Kjo, për mendimin tim, tregon saktësisht se ne morëm vendimin e duhur.”– argumentoi ai.

Szholz tha se Gjermania dhe Izraeli janë në favor të zgjidhjes diplomatike të konfliktit në Ukrainë dhe vazhdimit të negociatave mes Moskës dhe Kievit.

“Tani është e rëndësishme që diplomacia të ketë përsëri shansin e saj. Ne të dy (Scholz dhe Bennet) jemi njëlloj në favor të mundësisë së vazhdimit të negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës së shpejti.”– tha Scholz.

Raundi i ri i negociatave midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës pritet të mbahet mbrëmjen e sotme në territorin e Bjellorusisë.