Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Lushnja ironizon Bashën e Berishën: Njëri do të kthehet, tjetri s’do të ikë


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë në Lushnjë, të cilëve u ka kërkuar mbështetjen për kandidaten e PS-së për kryebashkiake, Eriselda Sefa.

Gjatë fjalës së tij, Rama ironizoi dhe kandidatët e PD-së dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, duke thënë se njërin e kanë sjellë vrima e bravës dhe tjetrin nga një copë e bishtit të varesë.

Sipas tij, kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë gati të shkatërrojnë gjithçka për interesat e tyre personale.

“Ata që kanë marrë përsipër të përfaqësojmë bravën dhe bishtin e varesë i s’kualifikon në sytë e mi dhe të çdo qytetari pavarësisht bindjeve politike, përkundër Eriseldës e cila nuk është e rënë nga qielli, por është një vajzë e ardhur nga kjo tokë në një rrugëtim që e ka nisur shumë vite me parë dhe ka hedhur hapat duke pasur ambicie dhe vullnetin pa qenë vajza e dikujt me mbiemër të famshëm apo e ngritën nga hiçi në majë.

Që të dy bashkë janë gati të përmbysim gjithçka për interesin e tyre personal, të tërheqin prej hunde dy parti politike vetëm se njëri nuk do të iki dhe tjetri do të kthehet.”– tha Rama.

Kryeministri foli edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa nuk nguroi të bënte krahasime për situatën politike në Shqipëri. Ai u shpreh se për nga sharjet dhe fyerjet, lufta duket se është në vendin tonë.

“Lufta është gjetkë, por po të dëgjosh mënyrën se si shahet këtu dhe se si sulmohet e shpifet këtu, duket se lufta është këtu. Këtë se bën politika, por njerëz të caktuar që tani më i sheh i madh dhe i vogël që janë aty për interes personal. janë të dy njësoj. Njëri që do medoemos të kthehet dhe tjetri që mos të iki. Hall i madh!”- tha Rama.