Vendosni fjalën kyçe....

BE miraton planin 3.2 mld euro, Shqipëria përfiton Bypass-in e Tiranës, hekurudhën Vorë-Han i Hotit dhe panelet diellore në Vaun e Dejës


Sot, Komisioni Evropian bëri të ditur një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte të transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.

Në Shqipëri do të financohen 3 projekte të rëndësishme:

-Stacioni me panele diellorë lundrues në Vaun e Dejës,

-Bypass-i i Tiranës, që lidh autostradën Tiranë – Durrës me atë Tiranë – Elbasan,

-Linja hekurudhore Vorë – HaniHotit.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, tha: “Me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren. Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”.

Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë për mbylljen e hendekut të zhvillimit mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.

Paketa e sotme financiare përfshin 1.1 miliardë euro grante të BE-së nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit 2021-2027 (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Norvegjia, si dhe kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Paketa e investimeve prej 3.2 miliardë euro kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) – një platformë investimi me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat.

Projektet në këtë paketë të parë mbulojnë sektorët me përparësi të Planit:

-Transportin e qëndrueshëm: Ndërtimi i ndërlidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore[1]  në rajon, përfshirë korridorin Mesdhetar, Lindje-Perëndim dhe atë Rin-Danub, si dhe korridorin hekurudhor mes Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe kufirit bullgar. Këto projekte do të lehtësojnë tregtinë rajonale, do të reduktojnë kohën e udhëtimit dhe do të nxisin një rritje të qëndrueshme ekonomike, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset vendase në rajon.

-Energjia e pastër: Zhvillimi i burimeve të rinovueshme të energjisë me ndërtimin e termocentraleve diellore dhe Korridorit Transballkanik të Transmetimit të Energjisë Elektrike, që do të jenë të dobishëm për një tranzicion të suksesshëm të energjisë së pastër në rajon, si dhe do të kontribuojnë për eliminimin gradual të përdorimit të qymyrit.

-Mjedisi dhe klima: Ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, të cilat janë thelbësore për perspektivat e gjelbra të rajonit dhe do të ndihmojnë për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së popullsisë në Ballkanin Perëndimor.

-Digjitalizimi: Zhvillimi i infrastrukturës rurale me brez të gjerë për të siguruar qasje universale në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

-Zhvillimi njerëzor: Ndërtimi i një godine të re të një spitali universitar për fëmijë për të rritur kapacitetin e tij dhe për të përfshirë teknologji të reja diagnostikuese dhe trajtuese.

Zbatimi do të nisë menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare, parashikuar gjatë viteve 2022 dhe 2023.