Vendosni fjalën kyçe....

Pyetet për lekët që merr nga qeveria për inceneratorin, Veliaj e kalon me shprehje si të Ramës: Nëse më quani lypësin më të madh në Republikë, jam fajtor që çke me të


Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e kryeministrit Edi Rama pas tërmetit të 26 Nëntorit të 2019-ës, kur kërkonte ndihma nga vendet e huaja për ta ndihmuar në procesin e Rindërtimit.

“Unë jam lypësi më i gjatë në planet”, “Unë jam lypësi më i mirë”, “Unë s’kam turp të jem lypës” – deklarata të tilla i kemi dëgjuar nga kryeministri Edi Rama pa fund. E duket se tanimë edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, po merr nga kryetari i tij dhe po përdor të njëjtat deklarata.

Gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, deputeti Belind Këlliçi e pyeti atë: “Sa lekë në vit merrni nga qeveria për inceneratorin e Tiranës në formë mbështetje? Sepse thatë që ju i kërkoni kryeministrit dhe kujtdo mbështetje.”

Kësaj pyetje Veliaj nuk iu përgjigj konkretisht, por nisi ta quante veten “lypësi” më i madh në Republikë.

“Për pyetjen tjetër që ka të bëjë me pagesat, do duhet t’i kërkoj stafit të më ndihmojë pak me një tabelë, ka variuar nga viti.

Disa herë kemi marrë 500 milionë, disa herë 700 milionë. Ka variuar nga viti në vend. Për shpirt, sa më shumë t’i marr qeverisë, aq më mirë. Ku ka kryetar bashkie që do të harxhojë lekët e kopshteve e çerdheve për diçka që fare mirë mund ta ndihmojë qeveria? Të të jap një model, ne jemi partnerë me Fondin Shqiptaro Amerikan tek Piramida e Tiranës dhe fillimisht do e ndanim përgjysmë. Pastaj, më marrin dy kolegët e Fondit dhe thonë: ‘Ore, ne mezi i kemi këto. Shofim mos bindet edhe Edi Rama, futet edhe qeveria në këtë lojë?’ Bindet edhe kryeministri edhe ne e ndajmë faturën më tresh.

Pra më thoni një kryetar bashkie, të majtë, të djathtë, të pavarur, që nuk do që nga qeveria të marrë sa më shumë për t’i hequr këto shpenzime?! Por nuk ia jep konçensionarit. Ia jep si ndihmesë, si transfertë buxhetore bashkisë. Pra në këtë rast, doni të më quani lypësin më të madh në Republikë? Po mor jam. Për pemë, për kopshte, për çerdhe, për gjyshe, për qendra sociale. Patjetër pra, po ilustroj logjikën. Dhe logjika që jam duke ilustruar, ka të bëjë me faktin që nuk tutem të trokas në asnjë ambasadë, për çfarëdo lloj gjëje që unë kam për bashkinë e Tiranës dhe për qytetin e Tiranës. Dhe po të shikoni secilit i kemi thënë, këtu Vodafonit, këtu AMC-ja, këtu One, këtu Plus, këtu banka… Pra për të gjitha këto arsye, nëse akuza që më bëni është pse unë lyp për të bërë qytetin më të mirë… unë jam fajtor që çke me të, lypës pa ekselencë. Pra përgjigja finale është kjo dhe po ta them me shumë sinqeritet, ne i kërkojmë çdo vit shtetit, sa të ketë mundësi të na ndihmojë.”– deklaroi Veliaj.