Vendosni fjalën kyçe....

Berisha paralajmëron: Së shpejti dalin përgjime të komunikimeve të fshehta të qeveritarëve me bandat, do dridhen themelet e Narkoshtetit


Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë jashtë godinës së Parlamentit, lidhur me operacion policor të kryer së fundmi në disa shtete evropiane ku u arrestuan shumë shqiptarë të përfshirë në trafikun e kokainës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka paralajmëruar se shumë shpejt do të publikohen përgjime të politikanëve shqiptarë duke komunikuar me bandat.

Kjo pasi sipas tij agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit kanë zbuluar komunikime të fshehta përmes aplikacioneve të zyrtarëve shqiptarë me bandat kriminale.

Megjithatë Berisha nuk përmendi emra.

 “Kam një kënaqësi të veçantë të informoj shqiptarët se hetimi i fundit i kryer nga disa shtete, Itali, Belgjikë, Gjermani, Francë… mundet edhe shtete të tjera por këto janë të sigurta…pas zbulimit të një aplikacioni që përdornin bandat shqiptare dhe qeveritarët shqiptarë për komunikime të fshehta, themelet e Narkoshtetit po dridhen si në një tërmet.

Ju garantoj se në ato përgjime, ka emra ministrash, drejtorësh, prokurorësh, gjykatësish, e shumë të tjerë. E mirëpres si një zhvillim shumë të rëndësishëm në betejën kundër narkoshtetit. Ju bëj thirrje këtyre agjencive për një hetim të pavarur, sikundër i bëj thirrje antimafias italiane në një akt mbështetje dhe ndihme kundër bashkëpunimit transatlantik të mafias të hetojë me të gjithë potencialet e saj aferën e inceneratorëve në Shqipëri. Këtu është bërë korrupsioni ligj, transparenca është bërë përjashtim. Vetëm protestat e zgjidhin këtë. Do të fillojmë sa më shpejt që ta gjykojmë të arsyeshme. Protestat për Portin dhe inceneratorët do të jenë më të fuqishmet që ka njohur vendi.”- deklaroi Berisha.