Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në Ukrainë/ Rusia fillon stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë


Rusia dhe Bjellorusia kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake që do zgjasin 10 ditë, pavarësisht frikës së vazhdueshme të Perëndimit për një pushtim rus të Ukrainës.

Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe ka një kufi të gjatë me Ukrainën.

Franca i quajti këto stërvitje, që besohet të jenë dislokimi më i madh i Rusisë në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë, si një “gjest i dhunshëm”. Ukraina po ashtu thotë se ato përbëjnë “presion psikologjik”, sipas BBC-së.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha të enjten se Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada.

Rusia nga ana tjetër ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufi.

Por SHBA dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm mund të ndodhë në çdo kohë.

Stërvitjet e përbashkëta mes Rusisë dhe Bjellorusisë të njohura si “Allied Resolve 2022” po zhvillohen afër kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën, i cili është pak më shumë se 1 mijë km i gjatë. E enjtja ishte fillimi i fazës aktive të stërvitjeve.