Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 66-vjeçares në Fier nga i ftohti, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Ndërprerja e energjisë për familjet e varfra është diskriminim, qeveria të miratojë statusin e “klientit në nevojë”


Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda ka reaguar pas vdekjes së 66-vjeçares Liliana Sema në fshatin Ferras të Fierit, e cila u gjet e ngrirë nga i ftohti.

Në një deklaratë për mediet, Komisioneri Gajda thotë se ndërprerja e energjisë elektrike ndaj familjeve të varfra është diskriminim.

Ai i bën thirrje Këshillit të Ministrave që të miratojë sa më shpejt “Statusin e Klientit në Nevojë”, si dhe kërkon nga OSHEE që të sigurojë furnizimin me energji elektrike dhe për familjet në pamundësi ekonomike.

 “Ndërprerja e energjisë elektrike dhe mosfurnizimi me energji elektrike të familjeve të pamundura ekonomikisht përbën diskriminim.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ndërmarrë disa veprime institucionale, me vendime, rekomandime dhe duke kryer studime të cilat theksojnë se energjia elektrike është shërbim thelbësor që duhet të garantohet për çdo person në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që për çdokënd të garantohet një jetesë dinjitoze.

Mosgarantimi i energjisë elektrike për personat dhe familjet e pamundura ekonomikisht cenon dinjitetin e tyre duke i mohuar të drejtën për shëndet, të drejtën për strehim, të drejtën për arsim, të drejtën për informim, të drejtën për të qenë qytetarë me të drejta të barabarta.

KMD i bën thirrje Këshillit të Ministrave që miratojë sa më shpejt ‘Statusin e Klientit në Nevojë’ si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj.

Gjithashtu, i bën thirrje OSHEE dhe të gjitha agjensive përbërëse të saj që të mos ndërpresin energji elektrike në asnjë moment dhe të garantojnë furnizimin me energji elektrike në çdo moment për të gjitha familjet e pamundura pa diskriminim.”– thuhet në reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Liliana Sema i kaloi sekondat e fundit të jetës në një shtëpi të rrënuar, pa asnjë familjar pranë, e në mes të ftohtit. Ajo u gjet ditën e djeshme nga i vëllai, tri ditë pasi kishte ndërruar jetë në banesën e saj, me trupin të ngrirë nga i ftohti.