Vendosni fjalën kyçe....

Vendi europian heq kufizimet e ‘fundit’ Covid-19


Danimarka ka njoftuar se do heqë pothuajse të gjitha kufizimet për Covid-19 pasi nuk e konsideron më virusin si një ‘sëmundje kritike shoqërore’, gati dy vjet pas fillimit të pandemisë globale.

“Sot mund të qetësohemi e të gjejmë sërish buzëqeshjen. Kemi lajme tepër të mira, tani mund të heqim kufizimet e fundit të koronavirusit në Danimarkë.” – tha të mërkurën kryeministrja Mette Frederiksen, duke zbuluar se pjesa më e madhe e kufizimeve do të hiqen deri më 1 shkurt.

E vetmja masë që do të mbetet në fuqi është kërkesa për të bërë një test Covid-19 përpara se të hyni në Danimarkë nga një vend tjetër.

Frederiksen vuri në dukje se megjithëse ‘mund të duket e çuditshme dhe paradoksale’ që kufizimet do të hiqen pasi Danimarka përjeton shkallët më të larta të infeksionit deri më tani, ajo vuri në dukje rënien e numrit të pacientëve në kujdesin intensiv, duke vlerësuar vaksinimin e gjerë kundër Covid-19 që sipas saj kanë shkëputur lidhjen mes numrit të shtrimeve në spital dhe atij të infeksioneve.

Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke deklaroi se ka pasur një ‘ndërprerje midis infeksioneve dhe pacientëve në kujdesit intensiv dhe kjo është kryesisht për shkak të normës së lartë të vaksinimit’.

Heunicke njoftoi të martën se Covid-19 nuk do të konsiderohet më një ‘sëmundje kritike shoqëror” nga 1 shkurti.