Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Kurbin: Ndodhemi në një situatë të vështirë, por sëbashku do ringrihemi e do çojmë Shqipërinë drejt Europës


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet sot në një takim me demokratët në Kurbin, nga ku tha se demokratët i diferencon diçka nga çdo familje tjetër politike dhe kjo sipas tij është aftësia për të menduar me kokën e tyre e jo me kokën e idhullit.

Basha tha se sëbashku demokratët do të ringrihen dhe sëbashku do ta çojnë Shqipërinë drejt Europës.

“Faleminderit vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, demokrate dhe demokratë. Falenderimi i parë i shkon zonjave të Kurbinit që na presin sot në shtëpinë e tyre, të Lezhës e të Mirditës të cilët na bashkohen sot këtu, edhe për shkak të rrethanave, i takon gjithsecilit prej jush në këtë sallë, i takon atyre jashtë kësaj salle që nuk po futen dot në këtë sallë, e cila është mbushur plot e përplot dhe prap është e vogël për ta mbushur guximin, kurajon e shpirtin e madh të demokratëve të Lezhës.

Ju lutem uluni.

Ndodhemi në një situatë që askush se kishte dëshiruar. Por detyra e demokratëve tash e 31 vjet ka qenë jo t’i ikin, por të përballen me situata të tilla.

Kemi patur situata të vështira, me disa të imponuara nga diktatura apo veglat e diktaturës që nuk u shkërmoqën, disa edhe si rezultat i gabimeve tona. Por demokratët i diferencon diçka nga çdo familje tjetër politike, aftësia për të menduar me kokën e tyre e jo me kokën e idhullit të rremë, aftësia për të folut të vërtetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç do ta tregojë propaganda, aftësia marrë vendimet dhe të treja këto bashkë i japin forcën demokratëve për t’u ngritur e për t’u ringritur sa herë të jetë nevojë, sepse ne nuk jemi bashkë rastësisht, as për hir të privilegjëve që kanë ndarë paraardhësit tanë siç është rasti i kundërshtarit tonë politikë, as për hatër të gjynafeve që kanë kryer mbi shqiptarët të tjerët. Ne jemi bashkë sepse kemi lindur si një familje politike me shpresën e shqiptarëve për ndryshim.

Prandaj jemi bashkë, në krah të njëri tjetrit. Kemi qenë sëbashku përballë diktaturës më të egër të regjimit, kemi vazhduar në ditët e errëta kur prapambetjet e regjimit u munduan të kthejnë rrotën e historisë, e do të jemi prap bashkë për ta çuar Shqipërinë atje ku duam drejt Europës. Europë do të thotë normalitet, drejtësi, mundësi për të gjithë, jo vetëm për një grusht njerëzish.”- tha Basha.