Vendosni fjalën kyçe....

Situata tek “5 Maji”, reagon Veliaj: Kundërshton vetëm një pjesë e vogël që shoqërohet me politikanë, të zgjedhin o bravën e partisë o bravën e shtëpisë



Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar lidhur me rezistencën e banorëve në lagjen “5 Maji” që kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “News 24”, Veliaj tha se 95% e banorëve i kanë firmosur kontratat dhe se vetëm 5% ka mbetur.

Ai theksoi që edhe ata që i kanë banesat e palegalizuara do të marrin po aq metra katrorë sa e kanë banesën e tyre, edhe pse nuk i takon ligjërisht.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se projektin e kundërshton vetëm një pjesë e vogël që shoqërohet me politikanë, të sipas tij duhet të zgjedhin o bravën e partisë o bravën e shtëpisë.

“Fakti që 95% e kanë firmosur kontratat, duhet vetëm që ky 5% i fundit që ka mbetur, duhet të bëjë si gjithë të tjerët të firmosin për t’i marrë nga metra katore pa leje e urbanizim në të njëjtët metra katrorë me leje e urbanizim.

Kundërshton një pjesë e vogël e cila ka muaj të tërë që shoqërohet me politikanë që do i braktisin siç braktisën ata të Astirit e Bulevardit.

I duan mish për top për partitë e tyre që zihen për shula e brava.

Politikanë që nuk mbajnë dot kaladibrance e djegin selinë e tyre s’mund t’i zgjidhin hallin atyre që i kanë përdorur si instrument politik e tani që ky vend ka menaxhim e ka shtet serioz ata banorë do duhet të zgjedhin o partinë o familjen, o bravën e partisë o bravën e shtëpisë së tyre.

Ne u ofrojmë bravën dhe çelësin e shtëpisë së tyre, por ata duhet të firmosin kontratën. E kuptoj që për disa që janë disa kryetarë grupseksionesh është e vështirë për t’u gëlltitur sepse i prisnin këto të mira nga partia e tyre, por jeta kështu është. Unë jam nga ato që punoj përditë me 99 njerëz të mirë dhe një rrugaç.

Dhe kjo nuk më shqetëson, ka organe që merren me kërcënimet. Personazhe që janë objekte të OFL-së, kur ti vendos mikrofonin dikujt që në televizionin tënd e ke nxjerr si peshkaqen fajdesh, dhe pasi OFL të dy vëllezërit Marku u ka konfiskuar makinat, një gazetar serioz duhet të mendojë se kujt po ja vendos mikrofonin, se krejt papritur sot nuk foli as Presidenti dhe as kryeministri, por dy kriminelë u bënë lajm kryesorë në televizione.  Partia më e rëndësishme është familja, buka jote. Kanë kontratën për të marrë bonusin e qirasë derisa të marrin metrat katrorë aq sa i kanë, në banesat e reja.”– tha Veliaj.