Vendosni fjalën kyçe....

Basha flet pas daljes nga prokuroria: 8 Janari shënoi fundin e tranzicionit, Berisha nuk ia doli të imponohet përmes forcës


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u mor në pyetje në Prokurorinë e Tiranës për rreth dy orë. Basha kërkoi zbardhjen dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të organizatorëve të dhunës.

Po ashtu ai shtoi se Berisha nuk ia doli që të imponohej me dhunë dhe thotë se pas protestës së 8 Janarit, PD është gati t’i japë fund tranzicionit.

“Ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt. Kjo është një nga dëmet që po i shkaktohet familjes tonë politike.

Megjithatë ndonëse PD, ishim pre e një sulmi barbar dhe të dhunshëm, kërkoj zbardhjen dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të organizatorëve të dhunës, u them demokratëve që nuk do biem në këtë kurth ku dhe Sali Berisha është kthyer në një aleat të kundërshtarëve të Partisë Demokratike.

Në një kohë kur kjo prokurori do të duhet të gëlonte nga të arrestuarit e aferës së inceneratorëve, Sali Berisha me retorikën e dhunës është përpjekur ta pengojë këtë.

Sali Berisha nuk ia ka dalë të imponohet përmes dhunës, demokratët kanë treguar se nuk mund të përdoren për interesat e një personi të vetëm.

Partia Demokratike është gati për t’i dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar, kështu duhet ta shikoni dhe 8 janarin, si një përpjekje e pak njerëzve për të mbajtur peng Shqipërinë.”- tha Basha.