Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç akuzon Australinë për “gjueti shtrigash” ndaj Djokoviçit


Presidenti serb ka sulmuar Australinë për përpjekjen për të dëbuar tenistin e njohur Novak Djokoviç.

Udhëheqësi serb Aleksandar Vuçiç e ka akuzuar kryeministrin australian Scott Morrison për bashkëpunim në një “gjueti shtrigash” kundër Novak Djokoviçit, pasi numri një i tenisit në botë përballet me deportim për shkak të një përjashtimi mjekësor.

Djokoviç, 34 vjeç, ndodhet në një qendër imigracioni në Melburn në pritje të fatit të tij pasi viza iu anulua pas mbërritjes në Australi të mërkurën. Tenisti serb kishte shpresuar të mbronte titullin e tij në “Australian Open” më vonë këtë muaj, pasi zbuloi se i ishte dhënë një përjashtim mjekësor për të garuar nga autoritetet e tenisit dhe shtetit të Viktorias.

Por pas mbërritjes së tij, Djokoviç mësoi se leja e tij mjekësore nuk ishte e mjaftueshme për autoritetet federale për ta lejuar atë të hynte në vend.

Lidhur me këtë lajm pati reagime të forta nga shumë figura në Serbi, përfshirë presidentin Vuçiç.

“Ajo që nuk është lojë e ndershme është gjuetia politike e shtrigave kundër Novak, nga të gjithë duke përfshirë kryeministrin australian që pretendon se rregullat vlejnë për të gjithë.”– tha Vuçiç për mediat të enjten.

Vuçic e përshkroi trajtimin e Djokoviçit si “të turpshëm në kuptimin e saktë të fjalës”. “Kam frikë se kjo ndjekje e pamëshirshme politike e Novakut do të vazhdojë deri në momentin që ata mund të provojnë diçka, sepse kur nuk mund ta mposhtësh dikë, atëherë i drejtohesh këtyre lloj gjërave.”- shtoi ai, citon RT.

Pasi u publikua lajmi për problemet kufitare të Djokoviçit, Vuçiç u fut në Instagram për të dënuar situatën. “I thashë Novakut tonë se e gjithë Serbia është me të.”– ka shkruar Vuçiç. “Trupat tanë po bëjnë gjithçka për të parë që ngacmimi i tenistit më të mirë në botë të marrë fund, menjëherë.”

Ky reagim i fortë i Vuçiçit vjen pasi tenisti serb Novak Djokovic nuk është lejuar të futet në Australi sepse nuk është i vaksinuar kundër Covid-19. Kjo çështje kaloi kufijtë sportiv duke u kthyer në një çështje politike.

Të gjithë lojtarët dhe stafi që merr pjesë në turne duhet të vaksinohen ose të paktën të kenë një përjashtim të dhënë nga një panel ekspertësh të pavarur. Djokoviç nuk ishte i vaksinuar, por kishte lejen e mjekëve që gjykonin se ai përbënte një përjashtim për vaksinën.