Vendosni fjalën kyçe....

Imzot George Frendo bën urimin e fundit për Krishtlindje si Arqipeshkv: Politikanët të kenë parasysh të mirën e përbashkët, për vendin jo për partinë


Arqipeshkvi Metropolit i Arqidioqezës së Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo ka bërë sot urimin e tij të fundit në këtë detyrë, për besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve.

Në fjalimin e tij, Imzot Frendo dha mesazhe paqeje dhe solidariteti, duke iu kërkuar shqiptarëve të falin dashuri dhe bujari ndaj njerëzve në nevojë dhe më të dobëtve. Këtë ai e kërkon edhe nga politikanët që kanë në dorë fatet e vendit.

Për këta të fundit, Imzot Frendo kërkon që ata mos të mendojnë për interesat e tyre personale dhe partiake, por për të mirën e përbashkët të vendit dhe të qytetarëve.

“Situata mund të përmirësohet shumë nëse të gjithë politikanët të kenë parasysh të mirën e përbashkët para të mirës personale. Është më mirë jo për partinë, por për vendin tonë.”– tha ai, ndërsa i përgjigjej një pyetjeje të gazetarëve në fund të fjalimit.

MESAZHI I IMZOT FRENDOS

Shën Nënë Tereza tha: “Krishtlindja është çdo herë që ti e lejon Hyjin të dojë të tjerët nëpërmjet teje”. Sa të bukura janë këto fjalë! Domethënë e lejojmë Zotin që, nëpërmjet nesh, të lindë përsëri si dashuri e mishëruar. Më dashurinë tënde ndaj të tjerëve ti bëhesh vegël që të pasqyrohet dashuria e Hyjit ndaj tyre. E pse kjo dashuri përkujton Krishtlindjen? Sepse Krishtlindja është misteri i madh i dashurisë shumë bujare të Hyjit për njeriun.

Krishtlindja na kujton se nuk kemi të drejtë ta mbajmë gëzimin tonë vetëm për vete. Gëzimi është një nga frytet e Shpirtit Shenjt, që duhet ta ndajmë dhe ta përhapim me të tjerët. A e dini çfarë bëri Maria pasi kishtemarrë lajmin nga engjëlli se do të bëhej nëna e Jezusit shpëtimtar? Shkoi më nxitim tek Elizabeta, e cila, e shtyrë në moshë, mrekullisht ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë së saj. Shkoi tek Elizabeta për ta ndarë gëzimin e saj me kushërirën e vet, por edhe për ta ndihmuar Elizabetën në muajt e fundit të shtatzënisë së saj.

Pra mendo pak për mënyra të ndryshme si t’i mund të tregosh një dashuri më bujare ndaj të afërmit tënd. Fute dorën në xhep, nxirr lekë sa të mundesh, jepua të varfërve. Edhe ata kanë të drejtë për pak gëzim. Në këtë mënyrë të siguroj se do të bëhesh më i pasur sesa ke qenë më parë, sepse ke fituar një thesar në qiell.

Në këtë moment a mund të mendoni për ndonjë person që, në këtë kohë aq të veçantë, ka nevojë që ti ta ndash gëzimin tënd më të? A mund të bëhesh për të postier apo postiere gëzimi, dukë i dhuruar buzëqeshjen tënde, dashurinë tënde, e ndoshta edhe ndonjë dhuratë të vogël? A ka, afër shtëpisë sate, një plak ose një çift pleqsh që banojnë vetëm e nuk kanë pasur asnjëri për t’i uruar: “Gëzuar Krishtlindjen”? Dhe këtë duhet ta bëjmë jo vetëm ne, por edhe politikanët dhe ata që kanë në dorë fatin e vendit tonë.

Në lindjen e tij Jezusi bashkohet me më të varfrit. Ai i ka mbrojtur dhe edhe ne duhet t’i mbrojmë. Jezusi na tha se ne mund, madje duhet, ta takojmë në personin e atij që është i uritur, i etur, i zhveshur, i sëmurë dhe pa strehë.

Shkrimtari i famshëm hebre, Jonathan Sacks (i cili vdiq para një viti) ka shkruar: “Një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit; bëhet i pasur kur kujdeset për të varfrit; bëhet i palëndueshëm kur kujdeset për të lënduarit”. Nëse interesohemi për të ardhmen e demokracisë, duhet të rizbulojmë atë qëndrim moral që na bashkon njëri me tjetrin në një lidhje dhembshurie dhe kujdesi të ndërsjellë.