Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet si bashkëpunëtore në krimet seksuale të Epstein, ç’duhet ditur për gjyqin ndaj Ghislaine Maxwell


Gjyqi penal ndaj personazhit të njohur britanike, Ghislaine Maxwell, është duke u zhvilluar në Nju Jork. Ajo akuzohet për trafikim fëmijësh, si dhe për përgatitjen dhe rekrutimin e vajzave të mitura për t’ia dhënë për shfrytëzim Jeffrey Epstein, i dënuari i ndjerë për krime seksuale.

Që nga arrestimi i saj në korrik 2020, Maxwell ka vazhduar të mohojë çdo akuzë, me avokatët dhe familjen e saj që këmbëngulnin se ajo ishte kukulla e Epstein dhe tani po përdoret si ‘kokë turku’ për të kënaqur dëshirën e publikut për të parë dikë të dënohet për krimet. Gjyqi pritet të zgjasë gjashtë javë.

Kush është Ghislaine Maxwell?

Maxwell, 59 vjeç, është vajza e manjatit të ndjerë të medias britanike Robert Maxwell, i cili zotëronte një sërë tabloidësh lajmesh, duke përfshirë Daily Mirror. Ai vdiq në vitin 1991. Trupi i tij u gjet duke lundruar pranë Ishujve Kanarie pasi ra nga jahti i tij, i cili quhej ‘Lady Ghislaine’.

Ajo u transferua në Nju Jork në fillim të viteve 1990 dhe u lidh në mënyrë romantike me Epstein, një investitor multi-milioner që kishte në listën e miqve të tij drejtues të rëndësishëm, bankierë, biznesmenë e politikanë elitarë.

Epstein vdiq në vitin 2019 në një qeli burgu në Manhattan, ndërsa priste gjykimin për akuzat për abuzim seksual. Vdekja e tij u regjistrua si vetëvrasje.

Për çfarë po gjykohet Maxwell?

Prokurorët federalë kanë thënë se do të dëshmojnë se ajo ishte një bashkëpunëtore aktive që ndihmoi Epstein të ‘rekrutonte, përgatiste dhe abuzonte’ viktima të moshës 14-vjeçare.

Maxwell është deklaruar e pafajshme për të gjitha akuzat, të cilat përfshijnë joshjen e të miturave për të udhëtuar e për t’u përfshirë në akte seksuale të paligjshme; transportimi i të miturave me qëllim të kryerjes së aktivitetit seksual kriminal; akuza për konspiracion lidhur me të dyja këto; trafikimi seksual i të miturve dhe komploti i trafikimit seksual.

Ajo gjithashtu përballet me dy akuza për dëshmi të rreme, me autoritetet që pretendojnë se Maxwell gënjeu nën betim kur u mor në pyetje më parë për çështjet që kanë të bëjnë me Epstein.

Ndërsa ky gjyq nuk do të trajtojë akuzat për dëshmi të rreme, Maxwell përballet me gjithsej tetë akuza në gjykatën federale.

Çfarë ka pretenduar deri tani prokuroria e mbrojtja?

Prokuroria i ka thënë gjykatës se Maxwell dhe Epstein ishin ‘partnerë në krim’ të cilët i manipulonin viktimat e tyre të pambrojtura me para e dhurata.

Ata thonë se Maxwell ‘ndihmoi në normalizimin e sjelljes seksuale abuzive’ duke fituar besimin e adoleshenteve dhe duke i bërë ato të ndihen të sigurta, duke krijuar një ‘kulturë heshtjeje’ rreth aktiviteteve të paligjshme. Abuzimi dyshohet se ka ndodhur nën maskën e dhënies së ‘masazheve erotike’.

Ndërkohë, avokatët mbrojtës e kanë quajtur Epstein përgjegjësin kryesor gjatë gjyqit dhe u kërkuan anëtarëve të jurisë që të mos e bëjnë Maksuellin një ‘kokë turku’ për krimet e tij. Ata madje i janë referuar përrallës biblike të Adamit dhe Evës për të nënkuptuar sesi gratë janë ‘djeguar dhe ndëshkuar’ për ‘sjelljen e keqe të burrave’.

Kush ka dëshmuar deri tani?

Katër nga viktimat e supozuara pritet të dëshmojnë, si dhe të afërmit e tyre dhe ish-punonjësit e Epstein, së bashku me dëshmitarët ekspertë. Dita e parë e gjyqit pa pilotin për një kohë të gjatë të Epstein, Larry Visoski, që dëshmoi duke përshkruar fluturimet e ashtuquajtura ‘Lolita Express’ të financierit pedofil.

Ndërsa Visoski tha se ai kurrë nuk kishte parë ‘asnjë aktivitet seksual’, ai dëshmoi se ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, princi mbretëror britanik Andreë dhe Donald Trump, ndër të tjera, fluturuan me avionët privatë të Epstein.

Prokurorët kanë thënë se abuzimi ka ndodhur në një numër shtëpish të Epstein, duke përfshirë pronën e tij në Palm Beach, Florida, shtëpinë e tij luksoze në Manhattan, një fermë në Santa Fe, New Mexico, një apartament në Paris dhe një pronë luksoze në Ishujt Virxhin.

Gjatë dëshmisë së tij, Visoski tha se ishte ‘jo e pazakontë’ që Maxwell të ulej me të në kabinë. Ai kujtoi gjithashtu fluturimin e Virginia Roberts (tani Virginia Roberts Giuffre) i cili ka akuzuar Epstein dhe Princin Andrew për abuzim.

E para nga katër akuzueset, e identifikuar vetëm me pseudonimin ‘Jane’, dha një dëshmi rreth detyrimit për të kryer marrëdhënie seksuale me Epstein kur ajo ishte 14, 15 dhe 16 vjeç.

Ajo vuri në dukje se Maxwell dhe të tjerët u përfshinë herë pas here duke shtuar se Maxwell do ta udhëzonte atë se si i pëlqemte Epstein të masazhohej.

‘Jane’ tha se ajo udhëtoi me Maxwell dhe Epstein rreth 10 herë mes Florida-s, Manhattan-it dhe New Mexico-s.

Shoferi dhe kujdestari i Epstein, Juan Alessi, ka dëshmuar gjithashtu Maxwell-it e kishte udhëzuar atë që të sillte ‘Jane’ dhe Roberts në rezidencën e Epstein në Palm Beach.

Kush pritet të dëshmojë tjetër?

Përveç ‘Jane’, tre viktima të tjera të dyshuara të mitura pritet të japin dëshminë e tyre gjatë gjyqit. Ndërsa dy do ta bëjnë këtë në anonimitet, duke përdorur pseudonimet ‘Kate’ dhe ‘Carolyn’, akuzuesja Annie Farmer e ka identifikuar tashmë veten publikisht dhe tha se Epstein e kishte abuzuar me të në fermën e tij në New Mexico në 1996.

Sipas aktakuzës kundër Maxwell, ajo dyshohet se ka inkurajuar Farmerin, e njohur si ‘Viktima e Vogël 2’ që t’i bëjë Epstein fërkime dhe masazhe për këmbët.

Ka gjithashtu një numër dëshmitarësh ekspertësh që mund të jenë çelësi për mbrojtjen e Maxwell-it, duke deklaruar se akuzuesit e saj kanë ‘kujtime që nuk janë të besueshme, të pavërtetuara dhe jo të besueshme’.

Ekipi mbrojtës thuhet se synon të thërrasë Elizabeth Loftus në tribunë. Loftus është një profesore psikologjie në Universitetin e Kalifornisë, ‘Irvine’, e cila argumenton se njerëzit mund të manipulohen për të pasur ‘kujtime të rreme’. Loftus ka dëshmuar në disa gjyqe të profilit të lartë, duke përfshirë ato të O.J. Simpson dhe Harvey Weinstein.

Ndërkohë, prokuroria ka vënë tashmë në terren dëshmitaren e saj eksperte, psikologen Lisa Rocchio, e cila i tha jurisë për ‘zbulimin e vonuar’ për të treguar se si viktimat e abuzimit seksual të mitur që janë ‘rekrutuar e manipuluar’ mund të mos i njohin menjëherë përvojat e tyre si abuzim dhe ndonjëherë ato nuk shfaqen për shumë vite.

Cila është marrëveshja me akuzat për dëshmi të rreme?

Gjatë një depozitimi të një padie civile kundër saj të ngritur nga Roberts në prill 2016, Maxwell u pyet nën betim nëse ajo e dinte nëse Epstein kishte një ‘skemë për të rekrutuar vajza të mitura për masazhe seksuale’, për të cilën ajo u përgjigj: “Unë nuk e di se për çfarë po flet.”

Ajo gjithashtu mohoi të dinte nëse kishte ‘lodra seksi’ në pasurinë e Palm Beach. Prokurorët i kanë karakterizuar këto deklarata si ‘të rreme’, që shkelin një statut federal që e bën krim gënjeshtrën nën betim, por avokatët e Maxwell janë kundërpërgjigjur duke thënë se pyetjet ishin të paqarta dhe se ajo dha përgjigje të vërteta.

Gjykatësi që kryeson çështjen e Maxwell tha se prokurorët do të duhet t’i trajtojnë këto akuza në një gjyq të veçantë për të shmangur komplikimin e këtij që po zhvillohet tani.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani