Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti e akuzoi se kishte financuar grushtin e pretenduar të shtetit, nis ndjekja penale ndaj personit më të pasur të Ukrainës


Qindra çështje penale do të nisin së shpejti kundër kompanive të lidhura me një nga biznesmenët më të pasur ukrainas, Rinat Akhmetov, pasi ai u akuzua se qëndron pas një përpjekjeje të dështuar për të rrëzuar qeverinë ukrainase përmes një grushti shteti.

Duke shkruar në një postim në Facebook të enjten, prokurorja e përgjithshme e vendit, Irina Venediktova tha se ‘një ngjarje e pazakontë’ ishte shfaqur javët e fundit, me presidentin Volodymyr Zelensky që akuzoi Akhmetov se kishte komplotuar për të organizuar një përpjekje për grusht shteti të mbështetur nga Rusia.

“Do të përsëris dhe do e theksoj. Unë nuk e quaj askënd sulmues, oligark apo shkelës, por kam të drejtë në një moment kaq të rëndësishëm që vendi të aktivizojë hetimin e një numri të tërë kriminelësh. Ne kemi bërë një analizë paraprake të gjithë grupit të procedimeve penale dhe tani rezulton se bëhet fjalë për më shumë se 200 raste. Kjo shifër është vetëm një vlerësim sipërfaqësor, jam e bindur që ka më shumë.” – shkroi Venediktova.

Akhmetov mbikëqyr një perandori çeliku dhe qymyri me vlerë 7.6 miliardë dollarë, si dhe zotëron klubin e futbollit Shakhtar Donetsk dhe disa kanale televizive që mbështetën kundërshtarët e Zelensky në zgjedhjet e fundit presidenciale. Manjati i biznesit ka qenë një nga kritikët më të lartë të qeverisë në vitet e fundit.

Vërejtjet nga kryeprokurori vijnë menjëherë pasi presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Akhmetov për mbështetjen e një përpjekjeje për të rrëzuar qeverinë e tij. Marrja e pushtetit, megjithatë, nuk u materializua në fillim të dhjetorit, kur kreu i shtetit kishte pretenduar se do të ndodhte.