Vendosni fjalën kyçe....

112 milionë euro pagesat për PPP-të me 2022, rriten me 11.3%; Rruga e Arbrit dhe skanimi në dogana marrin 37% të shumës


Fatura e pagesave buxhetore ndaj kontratave koncesionare në vitin 2022 do të zgjerohet me 11.3 për qind në krahasim me planin e këtij viti, duke arritur një vlerë prej 13,8 miliardë lekësh (112 mln euro), sipas programit të paraqitur në projektligjin e buxhetit 2022 që tashmë është në Kuvend.

Siç shihet nga të dhënat mbi 5 miliardë ose 37 për qind e fondit total për koncesionet do të shkojnë për pagesat e e dy koncesioneve, rrugës së Arbrit me 3 miliardë lekë dhe koncesionit të Skanimit ne Dogana me 2 miliardë lekë. Kosto e pagesave për koncesionin e Skanimit rritet  me 29% vitin që vjen.

Koncesioni i sterilizimit të sallave kirurgjikale vjen i treti për nga shuma e financimit me mbi 1,7 miliardë lek duke zënë 12 për qind të pagesave totale.

Inceneratori i Tiranës është i katërti për vlerën e lartë të pagesave me 1.5 miliardë lekë ose 11 për qind të fondeve të totale.

Shërbimi laboratorik i cili nisi të funksionojë vitin e kaluar do të financohet me 1.3 miliardë lekë duke zënë 10 për qind të totalit të pagesave.

Gjatë vitit që vjen zërohen pagesat për koncesionin e Elbasanit, për të cilin kontrata përfundon ketë vit dhe Qeveria ka njoftuar bashkitë ta marrin në dorëzim objektin.

Inceneratorët e Fierit dhe Tiranës do të marrin vitin që vjen 2,1 miliardë pagesa, ndërsa koncesionet në sektorin e shëndetësisë do të marrin 4,7 miliardë lekë ( 38,6 mln euro) pagesa gati 33 për qind të totalit të fondeve në dispozicion.

Koncensionet në infrastrukturën rrugore do të kushtojnë rreth 4,1 miliardë lekë ose 31 për qind e pagesave totale.

Për vitin 2022, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% e të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2021, është rreth 22.95 miliardë lekë, por vlera e parashikuar për tu paguar është 13.8 miliardë lekë ose 3 3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2021, prej rreth 459.1 miliardë lekë.

Pagesat e këtij viti 29% më të larta, shtohen fondet për inceneratorin të Tiranës

Ministria e Financave njoftoi se fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2021, sipas planit të ndryshuar, me destinacion mbështetjen buxhetore për kontratat koncesionare/PPP, rezultojnë në total rreth 12.42 miliard lekë. Nga këto, rreth 5.4 miliard lekë investime dhe rreth 7.01 miliardë LEK shpenzime korente.

Plani i ndryshuar rezulton 300 milion lekë më i ulët. Ndryshimi i planit vjetor i referohet konkretisht: pakësimit prej 40.45 milion lek për kontratën “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum-Dukat”, o pakësimi prej 510 milion lek për kontratën e “Kontrollit bazë të popullsisë (check up)” o shtesës prej 250 milion lek, nga fondet e Bashkisë Tiranë, për kontratën “Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”.

Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2020 të cilat arritën vlerën rreth 9.63 miliard lek, pagesat e planifikuara për vitin 2021 janë rreth 29% më të larta ose rreth 2.78 miliard lek më shumë.

Kjo duke konsideruar faktin se, për vitin 2021 janë planifikuar fonde për kontrata të cilat gjatë vitit 2020 patën pakësim të konsiderueshme për shkak të situatës së Pandemisë Covid-19, me qëllim lehtësimin e barrës buxhetore të vitit të vështirë 2020.

Pagesat faktike për periudhën 9 mujore 2021 rezultojnë në masën rreth 7.95 miliard LEK ose 64% të pagesave të planifikuara sipas planit vjetor të rishikuar për vitin 2021.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor