Vendosni fjalën kyçe....

Komiteti i Ekspertëve: Situata e përkeqësuar, por nuk ka ndryshim masash, të vaksinohen edhe fëmijët mbi 12-vjeç


Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në një konferencë për mediet, ku kanë bërë të ditura informacionet për situatën e COVID-19 në vend.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico gjatë mbledhjes dha shifrat në lidhje me ecurinë e pandemisë COVID në vend, duke bërë me dije se situata është përkeqësuar. Ajo u bëri thirrje studentëve që të vaksinohen.

“Mbledhja e sotme kur situata globale është përkeqësuar ndjeshëm sa i përket infektimeve. Incidenca dyjavore në Shqipëri është 222 për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhë.

Nr i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48. Raporti meshkuj femra i rasteve të konfirmuara mbetet 48-52%. 157 të shtruar në javë mesatarja. Mesatarja dy javore e rasteve të rënda është 20.

Raporti i numrit të fataliteve me rastet e infektuara është 1.6%.
Vijon procesi i vaksinimit.
Vaksinimi në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë grupet e përcaktuara, në fokus studentët të cilëve iu bëjmë thirrje të vaksinohen.

E rëndësishme mbajtja e maskës dhe respektimi i masave.”– deklaroi zonja Fico.

Ndërkohë zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, tha se indikatorët monitorues të kësaj situate mbeten pak a shumë në të njëjtin nivel si dy javë më parë dhe ndonëse ka një përkeqësim të lehtë nuk do ketë ndryshim masash. Ajo bëri thirrje edhe për vaksinimin e fëmijëve të moshave 12-15 vjeç që kanë sëmundje me ulje të imunitetit.

“Komiteti i Ekspertëve mendon se megjithë këtë përkeqësim të lehtë, niveli i masave shtrënguese mbetet njësoj, masat shtrënguese i përgjigjen indikatorëve, tërheqim vëmendjen për zbatimin me rigorozitet. Ne sugjerojmë që do vazhdojë të mbete prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës. Po ashtu vendosim që personat që janë mbi 60-vjeç të bëjnë dozën e tretëm, jo më herët se 6 muaj kur kanë bërë dozën e dytë, duke filluar nga data 1 nëntor. Fëmijët mbi 16-vjeç do të ftohen për t’i vaksinuar me konsensusin e prindërit. Do ftojmë për vaksinim edhe fëmijët 12-15 vjeç që kanë sëmundje me ulje të imunitetit.”– tha Rakacolli.