Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e turistëve në Qerret/ Kishin një javë në Shqipëri, drekën e kaluan në Ohër të Maqedonisë


Të tjera detaje zbulohen lidhur me ardhjen dhe qëndrimin e katër turistëve rusë në Shqipëri, të cilët u gjetën të asfiksuar në ambientet e saunës së një hoteli në Qerret.

Prej një jave po pushonin në Shqipëri, çifti Sergei dhe Nataliia Burenkova si dhe vajza e tyre me bashkëshortin.

Ata kishin mbërritur të dielën e kaluar në vendin tonë përmes një agjencie turistike, ndërsa kanë vizituar disa pika turistike. Prenotimin në hotelin e Qerretit e kanë bërë më herët, ndërkohë akomodimi është bërë ditën e ngjarjes.

Trupat e pajetë të turistëve rusë, janë gjetur pranë pishinës së brendshme të hotelit. Tre trupa janë gjetur në të njëjtin vend, ndërsa tjetri i veçuar.

Mbetet mister shkaku që çoi në humbjen e jetës së tyre. Paraprakisht policia tha se 4 turistët dyshohet të kenë ndërruar jetë nga asfiksia, por nuk përjashtohet as pista që ata të kenë pësuar reaksion për shkak të pijeve alkoolike që mund të kenë konsumuar gjatë ditës.

Brenda ditës, sipas “News 24” ata kishin udhëtuar drejt Maqedonisë dhe pas drekës në Ohër, ishin kthyer sërish në hotelin ku po qëndronin. 

Fjala i fundit i takon Institutit të Mjekësisë Ligjore, që do të hedh dritë mbi shkaqet e vdekjes.