Vendosni fjalën kyçe....

FMN thotë se varianti Delta ka dobësuar rimëkëmbjen ekonomike globale


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thotë se rimëkëmbja ekonomike është dobësuar në shumicën e vendeve të pasura për shkak të ndikimit të variantit Delta të koronavirusit.

FMN i uli vlerat në parashikimet e rritjes për vitin 2021 për ekonomitë e përparuara – në veçanti SHBA-në, Japoninë dhe Gjermaninë – duke fajësuar vazhdimisht rreziqet shëndetësore, çështjet e zinxhirit të furnizimit dhe inflacionin e lartë. Por siç shkruan BBC beson se shumica e vendeve të pasura do të rriten më shpejt se sa pritej në vitin 2022. Dhe paralajmëroi se ato në zhvillim mund të bien dhe të ngelen mbrapa për shkak të një “ndarje të vaksinave” në rritje.

Ekonomia globale u tkurr ndjeshëm në vitin 2020, por u rikthye fuqishëm në gjysmën e parë të këtij viti kur vendet u zhbllokuan. Sidoqoftë, në parashikimin e tij të fundit FMN tha se “vrulli ishte dobësuar” pasi varianti Delta shumë i transmetueshëm i koronavirusit ndaloi kthimin e plotë në normalitet.

‘Ushqyerja e inflacionit’

Kryekonomistja e FMN –së, Gita Gopinath vuri në dukje ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit me të cilin janë ballafaquar shumë vende, që  është shoqëruar me rritjen e kërkesës duke “ushqyer inflacionin”.

Ajo fajësoi gjithashtu mungesat e mallrave dhe çmimet më të larta të mallrave, duke thënë se “rreziqet për perspektivat ekonomike janë rritur”.

Ndërsa FMN -ja uli parashikimin e saj për rritjen globale në vitin 2021 në 5.9%, tha se kjo mbulonte një ulje të madhe të vlerës për disa vende të pasura. Veçanërisht FMN pret që ekonomia më e madhe në botë, SHBA, të rritet me vetëm 6% këtë vit, nga 7% që parashikoi në korrik.

Ndërkohë Japonia dhe Gjermania, do të rriten përkatësisht me 2.4% dhe 3.1% – nga 2.8% dhe 3.6% që ishte parashikuar fillimisht

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar parashikohet të rritet me 6.8% këtë vit, nga parashikimi i mëparshëm prej 7%. Sidoqoftë, FMN pret që ekonomitë më të përparuara të kthejnë tendencat e tyre të rritjes vitin e ardhshëm pasi çështjet e zinxhirit të furnizimit të lehtësohen dhe ta tejkalojnë atë me rreth 1% në vitin 2024. Në të kundërt, ekonomitë në zhvillim (përjashtuar Kinën) do të bien dhe  do mbeten 5.5% nën parashikimin e tyre para pandemisë deri në vitin 2024.