Vendosni fjalën kyçe....

Ben Qimja, Dritan Dajti dhe Ardi Veliu


Nga Flamur Vezaj

Ben Qimja, punëdhënësi i atyre që lirohen nga burgu!

Dajti në Gjykatën e Lartë dhe ikja e Veliut!

SPAK-u paska vepruar ndaj pronave të Arben Isufit i njohur si Ben Qimja! Uroj këtë radhë ta këtë seriozisht! Edhe pse e dyshoj se nuk ia paskan gjetur pallatet te Kopshti Zoologjik apo të tjerat si këto. Veç kësaj SPAK pse e paska mbajtur të fshehtë për disa kohe këtë vendim sekuestro?! Pasi për një sekuestro ordiner njoftojnë mediat. Mos është ky vendim sa për të larë gojën?!

Por jo vetëm kaq, pasi me të njëjtin vrull, vite më parë prokurorët e Fierit dhe më e rëndësishmja Prokurorët e Krimeve të Rënda (disa prej tyre sot në SPAK) kanë hetuar e sekuestruar pronat e tij, por më pas këto prona nuk i janë konfiskuar fal edhe “dashamirësisë” së gjyqtarëve të korruptuar, të disa gjykatave që tashme janë shkarkuar.

Por çfarë do bëhet me ato prona që janë gjykuar njëherë? Si do veprohet apo thjesht me kalimin e kohës nëpër dyert e gjykatave kjo dosje “sekuestrimi”, do të shfryhet?! Uroj ta keni seriozisht!

Mirë “Ben Qimja” që me veprimet e tij, duke punësuar të dënuar që “përfitonin” liri nga Gjykata, “thërriste” prokurorët që ta hetonin, por si do bëhet për të tjerët të rangut të tij “biznesmen” se janë të shumtë?!

Apo atyre që po bëhen gati të dalin nga burgu si Dritan Dajti? Dosjen e të cilit tashmë e kanë hedhur me short në Gjykatën e Lartë ku po shqyrtohet nga gjyqtari Sandër Simoni! Një gjyqtar që e njeh dosjen shumë mirë pasi ka qenë kryetar i asaj gjykate ku u hetua dhe gjykua Dajti. Ka qenë ai që ka ngritur zërin gjithmonë për zvarritjet e procesit të Dajtit.

E tani ka radhën të tregojë se sa profesioniste është dhe a do të verë drejtësi më në fund për gjakun e atyre dëshmorëve që kujtohen vetëm në ditën e përvjetorit.

Iku me dorëheqje kryepolici Veliu?!

Po si ka mundësi që të gjithë japin dorëheqje dhe nuk shkarkohen?! Në fakt po të shkarkohet nuk e dërgojnë pastaj “diplomat” në Ambasadën tonë në Turqi!

Por për çfarë do mbahet mend?! Jo vetëm për gafat në letrën e dorëheqjes, por shoqërimin e Balilit model “taksisti”, për gafën me nënën e atij 16 vjeçarit që dhunuan e pastaj e punësoi në polici. Po po e punësoi!

Do të kujtohet për gazin helmues ndaj protestuesve. Si drejtori që pas çdo vrasje shkonte e numëronte gëzhojat e viktimat në ngjarje të renda por pa arrestuar autorët. Do të kujtohet si drejtori që në kohën e tij një polic vrau Klodian Rashën dhe më pas tentoi të manipulojë ngjarjen. Me të njëjtin manipulim e mashtrim do të kujtohet për konferencën për shtyp për vrasjen para zgjedhore në Elbasan. Do të kujtohet si drejtori që emëronte shokët në krye të drejtorive të qarkut apo që i refuzonte gradat shumë efektiveve të ndershëm. Do të mbahet mend si drejtori që ju vra një polic në krye të detyrës nga një 21 vjeçar. Por edhe si kryepolici që hashashi vazhdoi të lulëzojë deri në piken e rishfaqjes së avionëve të vegjël për transportin e tyre si në kohën e “superministrit” Tahiri.

Pra, pse policia nuk ka ende një reagim për avionin? Sa herë ka kryer fluturim ky apo tjerë avionë?

Por e rëndësishmja se do mbahet mend si drejtori që u vetëshkarkua pasi u korr hashashi në Tepelenë, Vlorë, Krujë, Malësi. etj! Pra mbaroi korrja, kjo ishte e rëndësishme. Kështu që merruni me këto e lërini gafat e letrës!