Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Do zhvillojmë diskutime me opozitën për komisionet hetimore, propozoj reduktim të numrit të deputetëve në to


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëv ka dalë në një deklaratë për mediet, ku ka folur lidhur me vendimet dhe diskutimet e sotme.

Balla tha se do të vijojë diskutimi në tryezë me opozitën për ngritjen e disa komisioneve hetimore, të kërkuara nga opozita.

Lidhur me vendimin për zhvillimin e komisioneve në salla, Balla theksoi se deputetët që marrin pjesë në komisione do të duhet të jenë të vaksinuar, ose të paraqesin test negativ, jo më vonë se 48 orë.

Ndersa shtoi se në emër të grupit që përfaqëson, ka kërkuar që të ulet numri i deputetëve në komisionet hetimore.

 “Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument në duart e Kuvendit dhe natyrshëm edhe të opozitës për të hetuar çështje që pikësëpari kanë një interes publik por natyrshëm objekti i hetimit dhe puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm.

Parashikimet në Kushtetutë janë rregulluar dhe vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatën Kushtetuese, i cili ka parashikuar që në njërën krah është ngritja e komisioneve dhe në anën tjetër parashtrimit të nevojës së hetimit. Kërkesat u depozituan në fund të javës që shkoi, ato kanë hyrë në diskutimin e Konferencës së Kryetarëve.

Do të nisim një proces diskutimi me opozitës për objektin e këtyre komisioneve për të arritur një konsensus për atë që është propozuar. Unë kam propozuar që numri i këtyre anëtarëve mos të jetë kaq i madh. Mund t’ju them se sa më i vogël të jetë numri i komisionerëve aq më punë efektive bëhet.

Është marrë në shqyrtim një kërkesë nga deputeti i LSI-së, Vasili për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë aspekt, mendoj se ne kemi arritur që me konsensus sot ta fusim diskutimet për komisionet në rrugën e duhur. Ndërkohë që po ashtu, gjej rastin t’i falënderoj deputetët e opozitës që ranë dakord dhe për projektvendimin e iniciuara prej meje për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes së komisioneve, duke vendosur komisionet në të njëjtën linjë me universitet, me shkollat. Pjesëmarrja në komisione do të jetë fizike, por me kushtin që deputetët të paraqesin certifikatë e vaksinimit apo dhe test negativ jo më vonë se 48 orë. Tashmë jemi në kushtet e vijueshmërinë normale.”– deklaroi Balla.