Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Thellësisht i shqetësuar për largimin e 60 mijë fëmijëve nga Shqipëria


Presidenti Ilir Meta reagon lidhur me të dhënat e “Eurostat”-it për numrin e fëmijëve që kanë braktisur Shqipërinë në 10 vitet e fundit.

“Sipas të dhënave të bëra publike nga EUROSTAT, mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).

Mbi 82 përqind e tyre janë nën moshën 14 vjeç.

Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë, e mbështes kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajoj ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësit, si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.”, shkruan Meta, duke shpërndarë edhe shkrimin e detajuar të OJF-së që merret me të drejtat e fëmijëve.

Meta shprehet se duhet të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, “për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, duke rikthyer besimin dhe garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe”.

Së fundmi kryeministri Edi Rama njoftoi se krijoi një ministri të re, atë të Rinisë dhe të Fëmijëve.