Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i dy ish-truprojave të Tahirit: Persona të tjerë kanë abuzuar me emrat e tyre


“Klientët e mi kundërshtojnë veprat penale që akuzohen. Persona të tjerë kanë abuzuar me emrat e tyre. Hekuran Marku dhe Agustin Deda s’kanë kryer asnjë shkelje.”, kjo është pak a shumë deklarata e përmbledhur e avokatit të Hekuran Marku dhe Agustin Deda dhënë për gazetaren Klodiana Lala.

Tonin Prendi, ka treguar se klientët e tij kundërshtojnë me forcë veprat penale për të cilat janë marrë nën hetim, duke shtuar se persona të tjerë që janë në hetim, kanë përdorur emrat e tyre për arsye kriminale.

Avokati thotë se klientët e tij me personat e akuzuar kishin njohje të thjeshtë nga fushata e zhvilluar në Kombinat të Tiranës.

“Personat nën hetim, Paul (Agustin) Deda dhe Hekuran Marku, kanë deklaruar para meje, mbrojtësit të tyre ligjor avokatit Tonin Prendi, se, që të dy kundërshtojnë me forcë të gjitha veprat penale për të cilat ata janë marrë nën hetim. Ata deklarojnë me përgjegjësi të plotë se persona të ndryshëm që aktualisht janë nën hetim, pa dijeni të Hekuranit dhe Agustinit, kanë përdorur emrat e tyre, në funksion të realizimit të planit të tyre kriminal, kur mes dy ish-truprojave dhe personave që kanë përdorur emrat e tyre, kishte thjeshtë njihje si pasojë e fushatës elektorale të zhvilluar në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Hekuran Marku dhe Agustin Deda, kundërshtojnë me forcë akuzat e ngritura kundër tyre. Ata deklarojnë se nuk kanë asnjë lidhje me atë çfarë është thënë apo paraqitur kundër tyre.

E vërteta është se, persona të ndryshëm kanë abuzuar me emrat e tyre, duke lënë të mendohej se pas tyre në kryer të veprimtarisë kriminale, qëndronin Hekurani dhe Agustini, edhe pse këta të fundit, nuk kishin asnjë dijeni për kryerjen e ndonjë aktiviteti kriminal.”, është shprehur avokati.

Dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri janë arrestuar në Francë dhe Gjermani, ndërsa mësohet Deda ka kërkuar azil politik në Francë. Deri në shqyrtimin e kërkesës, ndaj tij është dhënë masa e detyrimit të paraqitjes. Gjatë kësaj periudhe atij nuk i lejohet që të largohet nga Franca, edhe nëse shteti shqiptar kërkon ekstradimin e tij.