Vendosni fjalën kyçe....

Driton Kuka – Mjeshtri që stërvit kampionë, i solli suksesin mahnitës Kosovës në Olimpiadën e Tokios


Nora Gjakova i dha Kosovës medaljen e dytë të artë në xhudo në Olimpiadën e Tokios, një sukses i mahnitshëm për vendin, që vijon rrugëtimin në panteonin e veprimtarisë sportive më të madhe në botë.

Edhe pse e organizuar në periudhë pandemie e me plot vështirësi, Olimpiada mbetet ëndrra e çdo sportisti dhe fitimi i një medaljeje aty është maja e majave. Dy ditë më parë, Distria Krasniqi çeli udhën për Kosovën duke fiuar medaljen e artë në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në Olimpiadën e Rios në vitin 2016, Kosova fitonte medalje ari në xhudo me Majlinda Kelmendin.

Po kush është personi që qëndron pas suksesit mbresëlënës të Kosovës në këtë Olimpiadë dhe në atë të Rios në vitin 2016?

Emri i tij është Driton Kuka. Ai është trajner i kombëtares së Kosovës prej shumë vitesh e përveç Kelmendit, Krasniqit e Gjakovës, ai stërvit edhe vëllain e Nora Gjakovës, Akil Gjakovën që këtë olimpiadë u eliminua në çerekfknale.

Kuka ka lindur në Pejë më 15 shtator 1971. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuka është trajneri me i suksesshëm në sportin e vendit.

Ai ka qenë një sportist i xhudos në rininë e tij të hershme ku është shpallur kampion i 8-fishtë në të gjitha grupmoshat e ish-Jugosllavisë, Kampion Ballkanik, medalje e bronztë për të rinj në Evropë dhe medalje e bronztë në Kupën e Botës për te rritur në Hungari në vitin 1991.

Trajneri Driton Kuka e Distria Krasniqi

Pas paraqitjes mbresëlënëse e stërvitjes së palëkundur, Kuka asokohe siguroi normën olimpike për Olimpiadën Barcelona 1992 por për shkak të trazira politike në ish-Jugosllavi  në ato vite e luftërave që pasuan, ai u tërhoq nga kombëtarja e ish-Jugosllavisë.

Në një intervistë të vitit 2018 ai rrëfen si e nisi karrierën si trajner në vitin 1999 e po kështu flet për Majlinda Kelmendin, që është padyshim xhudistja e parë me famë ndërkombëtare e Kosovës duke fituar trofe të shumtë.

Kuka thotë se synimi i tij kur nisi punën me fëmijët ishte t’i ndihmonte të merreshin me sport, të qëndronin larg rrugës e t’u jepte motive e stimuj. Teksa flet për sportistet e tjera që ka stërvitur, ai ‘parashikon’ suksesin e Distria Krasniqit e Nora Gjakovës në Olimpiadën e Tokios.

Po kështu ai rrëfen për planin e tij për ngritjen e një qendre xhudoje në Kosovë, për të ndërtuar një ekip më të madh profesionistësh që do jenë në gjendje të përfaqësojnë Kosovës në botë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

Xhudistja Nora Gjakova

Xhudistja Distria Krasniqi

Ekipi i Kosovës pas fitores së Distria Krasniqit në finale

Xhudistja Distria Krasniqi

Xhudistja Nora Gjakova

Trajneri Driton Kuka e Majlinda Kelmendi në Olimpiadën Rio 2016